Presidentja e Republikës së Kosovës, Atifete Jahjaga, priti në takim raportuesin special për Kosovën të nominuar nga Sekretari i Përgjithshëm i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow.
Presidentja Jahjaga e njoftoi Sydow me zhvillimet në Kosovë prej përmbylljes së mbikëqyrjes së pavarësisë, të cilën e vlerësoi si sukses të përbashkët të institucioneve dhe popullit të Kosovës dhe partnerëve ndërkombëtarë. Presidentja Jahjaga e informoi Sydow për progresin e arritur në rrugën e integrimeve evropiane dhe shprehu përkushtimin e institucioneve të Kosovës për përmbushjen e kërkesave dhe obligimeve të BE-së, në mënyrë që t’i hapet rruga procesi të negocimit të Marrëveshjes për Stabilizim dhe Asociim. Jahjaga nënvizoi se integrimi i Kosovës në BE do të sjellë vlera të reja dhe nuk do të jetë barrë për familjen evropiane.
Presidentja Jahjaga e njoftoi bashkëbiseduesin edhe për zhvillimet e tjera në Kosovë. Duke folur për procesin e dialogut me Serbinë, presidentja Jahjaga tha se dialogu është e vetmja mënyrë për normalizimin e raporteve midis Republikës së Kosovës dhe Republikës së Serbisë. Me këtë rast presidentja Jahjaga theksoi rëndësinë e përmbushjes së marrëveshjeve të arritura deri më tani përmes dialogut dhe kërkoi ndihmën e institucioneve evropiane për të siguruar respektimin e këtyre marrëveshjeve nga Republika e Serbisë.
Raportuesi special për Kosovën i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Evropës, Bjorn Von Sydow, tha se qëllimi i vizitës së tij në Kosovë është njohja me zhvillimet më të fundit, të arriturat dhe sfidat që do të mund t’i raportojë në Asamblenë Parlamentare të Këshillit të Evropës.
Ai theksoi që nga vizita e tij e fundit në Kosovë ka pasur zhvillime të rëndësishme pozitive dhe shprehu gatishmërinë e Këshillit të Evropës për të vazhduar përkrahjen për Kosovën.
Sydow tha se përmes kësaj vizite do të mund të kuptojë më mirë pritjet që ka Kosova nga ky institucion me qëllim që përkrahja në të ardhmen të fokusohet në fushat që janë prioritet për institucionet e Kosovës.
Share
& Comment
Tweet