Amerikanët votuan dhe rizgjodhën president të vendit të tyre Barack Obama-n, duke i dhënë atij të drejtën për një mandat të dytë në krye të Shtëpisë së Bardhë. Obama arriti një fitore të pastër, duke mundur kandidatin republikan Mitt Romney. Menjëherë pas marrjes së rezultateve paraprake nga shtetet e lëkundura, Obama publikoi në Twitter lajmin për fitoren dhe mesazhin e falenderimit për zgjedhësit.
"Kjo ndodhi falë jush, ju falenderoj", shkruante Obama në rrjetin social Twitter, vetëm pak caste pas marrjes së lajmit të fitores.
E më tej presidenti shton: "E arritëm këtë bashkë, duke bërë fushatën elektorale dhe tani ja ku jemi".
Vetëm pas caste më vonë Barack publikoi në Twitter një foto ku ka përqafuar bashkëshorten e tij Michelle, duke e shoqëruar me fjalët: "Edhe katër vite të tjera".
Ndërkohë me anë të një e-maili, Obama u ka premtuar mbështetësve të tij se do të bëjë gjithçka është e mundur për të përfunduar atë që ka nisur.
Obama veç votave elektorale ka marrë edhe më shumë vota popullore se sa rivali i tij.
Imazhet e festës në zonën e Obama-s në Chicago, transmetohen në ekrane gjigantë edhe në selinë e Romney-t në Boston, ku atmosfera është aspak e këndshme. Duken fytyra të trishtuara dhe në atë park mbizotëron një heshtje varri.
Sfidanti Mitt Romney nuk e ka pranuar ende humbjen dhe për momentin ndodhet i izoluar në zonën e tij në Boston.
Avik Roy, një prej këshilltarëve të jashtëm të Mitt Romney-t për shëndetësinë, uron demokratët në një mesazh në Twitter. Mesazhi, i cili citohet nga Washington Post online,thotë: "Urime miqve të mi demokratë. Urimet e mia më të mira për administratën e re. Unë do të vazhdoj të bëj opozitë të ndershme".
Nga ana tjetër mbështetësit e Barack Obama-s kanë nisur të festojnë në Qendrën e Kongreseve në Chicago McCormick Place, vend në të cilin kaluan gjithë mbrëmjen, në pritje të rezultateve. Festime ka edhe në New York dhe në seli të tjera ku janë grumbulluar komitetet mbështetëse të Obama-s.
Share
& Comment
Tweet