Sheh vetëm një të keqe nga të qenit single: edhe kur e bën një punë shumë mirë, të tjerët mendojnë se ke flirtuar. Paragjykojnë çdo miqësi mashkullore. E acarojnë këto thashetheme ku e përfshijnë vetëm pse është femër e pse nuk ka një burrë kukull siç e kanë disa..
E sa për puthjet e përqafimet, ato mund t’i ketë edhe duke qenë single.
Një gruaje të ëmbël nuk i mungon dashuria asnjëherë. Mira Kazhani, gazetarja dhe moderatorja e lajmeve në “A1 Report” është e sigurt se do ta jetojë e lumtur këtë status…derisa të jetë e thënë.
Me kë jeton?
Me mamin dhe babin tim. Mjaftueshëm e martuar me ata të dy.
Cila është gjëja më e bukur e të qenit single?
Që jeton me prindërit dhe t’i gjen mami çorapet e palestrës. Babi të paguan internetin. Ditën e pushimit del me shoqet. Nëse je gazetare, je katërcipërisht më e suksesshme sesa të dashuruarat dhe të martuarat. Ke gjithë vëmendjen e botës edhe pse shpeshherë ndihesh sikur ke 100 vite që je single.
Po gjëja më e keqe?
Edhe kur e bën një punë shumë mirë, mendojnë se ke flirtuar. Të paragjykojnë çdo miqësi mashkullore. Para disa kohësh iu përvesha një kolegu që e respektoj, pasi diku kish thënë diçka që më lëndoi. Vetëm pse jam femër dreqin, thashë me vete, dhe nuk kam një burrë kukull siç e kanë disa, duhet me u bë pjesë e disa thashethemeve aspak simpatike!? Kjo është gjëja më e keqe, përveç ndonjë puthjeje apo përqafimi, por ato mund t’i kesh edhe duke qenë single. Një gruaje të ëmbël nuk i mungon dashuria asnjëherë.
A ke dalë në “blind date”, në takim të sajuar nga të tjerët me dikë që nuk e ke njohur më parë?
Kam dalë dy herë. Por nuk besoj se funksionon. Historitë krijohen më bukur natyrshëm dhe papritur. Kam kohë që nuk kërkoj e nuk pres. Jetoj atë çka jeta më sjell në derë.
Si ka përfunduar?
Ta thashë me lart. Në të dy rastet nuk kam dëgjuar asgjë dhe numëroja minutat, por jam sjellë mirë.
Kush e ka “problem” beqarinë tënde?
Besoj se prindërit. Por nuk mendoj se është ndonjë barrë e madhe. Unë nuk jam nga ato beqaret e mërzitshme që shkoj në shtëpi me nerva. Kohët e fundit i dëgjoj që janë të lumtur me mua dhe se s’dinë si do ia bëjnë kur unë të martohem. E bukur kjo.
Gënjen ende kur del në takim me dikë? Kë gënjen dhe si?
Nuk gënjej fare. Do e kem bërë dikur dhe mua përfundimisht më lodh kokën gënjeshtra. Tjetër gjë nëse tregohem diskrete. Të mos e thuash nuk është mëkat, apo jo?!
Mbrëmjet e tua tipike të fundjavës si janë?
Janë shumë intensive. Unë ndonjëherë dua të rri në divan e të lexoj apo shoh filma. Por s’ia dal kurrë. Kam disa miq e sidomos një shoqe, që edhe pse nuk është më single, nuk më lë një çast të qetë. Kaloj fundjava të mrekullueshme dhe kam disa të diela që s’ia tregoj askujt. Nuk është mëkat apo jo?!
Në ç’orë kthehesh në shtëpi kur del natën?
Jam e para që dua të kthehem. Nuk më pëlqen jeta e natës. Por ndonjëherë në të rrallë më pëlqen. Rri deri sa kam dëshirë. Pa asnjë detyrim.
Kur e ke dëgjuar për herë të parë urimin “me një fat të mirë” ose “në dasmë”?
E dëgjoj gjithmonë nga shoqet e mamit. Acaruese!
Çfarë mendon kur e dëgjon?
Që si nuk ju rri goja mi gra! Pse ma mërzisni mamin!
A të pëlqejnë dasmat e të tjerëve?
Shumë. Këtë verë motra ime u martua. Desh u martova dhe vetë për pak nga lumturia.
Po për tënden a mendon?
Jo më. Dikur shumë. Mendoj se nuk do bëj dasmë. Ndoshta një ceremoni të vogël fare dhe me një fustan që nuk do duket fare si nuse, por si një grua e përmbushur me gëzim.
Shumica e miqve dhe mikeshave të tua janë të martuar apo single?
Shumica po dashurohen, martohen dhe njëra më duket do na bëjë dhe një bebe. Sa qejf!
Sa shpesh fton njerëz në shtëpi?
Rrallë. Kemi shtëpinë e njërës prej nesh ku organizojmë darka të bukura.
Për çfarë shpenzon më shumë?
Për veshje.
Sa herë në javë gatuan?
Gatuaj shumë shpesh. Ma kalon vetëm Ervini, një mik i grupit. Pas atij vij unë, më duket. Pastaj të tjerët i qajnë omëletat dhe vezët e skuqura.
Cili është specialiteti yt?
Janë disa. Nuk do jap recetat tani se po flasim për shpirtin më shumë.
A mund të gatuash edhe vetëm për vete?
Jo, nuk gatuaj dot vetëm për vete. Nuk di!
Cilin nga këta numra shërbimesh ke në celular: taksi, ambulancë, polici, elektricist, hidraulik, shërbim taksi…
Asnjërin. Por kam numra njerëzish që për mua do bëheshin superman dhe supergirl.
Deri kur do vazhdosh të jesh single?
Deri kur të jetë e thënë.
0 commenti:
Posta un commento