Rrjedhat e një karriere të nisur jashtë dhe sakrificat e viteve të para. Transferimi nga Librazhdi, përshtatja me Tiranën, zhgënjimet në dashuri dhe mësimet që Jeta Faqollit ia ka dhënë jeta. E ardhmja në biznes dhe muzika
Alida Cenaj, foto Gent Shkullaku
Tani që i ka mbushur të 33 vjetët, Jeta Faqolli ka filluar të mendojë për një shtëpi të vetën. Tre motrat dhe prindërit janë sistemuar tashmë. Shtëpia ku ka jetuar qysh ditën kur mbërriti nga Librazhdi në Tiranë është shndërruar në një strehë të ngrohtë e komode dhe hallet e dikurshme për të siguruar mbijetesën i përkasin së shkuarës. Po mendon për gjërat e veta, shtëpinë, një bizes të sajin dhe karrierën. Megjithatë nuk i vjen aspak keq që çdo mbasdite, pasi mbyll punën si menaxhere, diku në autostradën Tiranë-Durrës, frymën e mban tek prindërit. Nuk e ka kompleksin se pse një vajzë e rritur si ajo, ndryshe nga shumë moshatare e mbi të gjitha nga kolege të saj, jeton ende me mamin dhe me babin. Përkundrazi. Jeta e ka domosdoshmëri praninë e tyre. Jo aq për nevojën që kushdo mund të ketë për prindërit e tij sesa për t’u siguruar që ata janë mirë dhe nuk u mungon asgjë. Ka qenë kështu gjithmonë, qysh ditën kur shkelën për herë të parë në Tiranë, kur blenë një apartament në periferi të kryeqytetit dhe kur e gjithë familja u vu në funksion të larjes së borxheve të shtëpisë dhe sigurimin e një jetë të qetë e pa mungesa. Ka zgjatur për vite kjo punë dhe duket se për këngëtaren do të jetë gjithmonë kështu. Familjen e ka të parën.
Ndërsa porsit një kafe të madhe me qumësht Jeta Faqolli tregon për punën e re që po bën këto kohë dhe që çuditërisht nuk ka asfare lidhje me muzikën. Menaxhon punët në biznesin e një kushërirës së saj dhe kjo i ha një copë të mirë të së përditshmes. Por është diçka që e bën me qejf. Siguron të ardhura, ka kohë të mendojë për këngët e reja dhe mbi të gjitha kjo puna e menaxhimit të një biznesi i duhet si përvojë meqë shumë shpejt ka në plan të dalë më vete, me një biznes të vetin, të ngritur nga e para. Aspak risi këto kohë kur shumë personazhe publike e përdorin emrin në funksion të suksesit të biznesit të tyre, por në rastin e Jetës ky është një nga ato projektet e vështira, për të cilin ka ruajtur rezervë shumë energji dhe përkushtim. “Sepse asgjë në jetë nuk e kam arritur me lehtësi. Megjithatë jam nga ato vajza që nuk heqin dorë”, thotë biondina bukuroshe ndërsa rrufit kafenë e ngrohtë.
E ka mësuar këtë, sidomos gjatë 19 viteve të fundit, kur i është dashur t’ia nisë nga e para në një qytet të madh e të rrëmujshëm si Tirana; kur ka pranuar të bëjë punë nga më të ndryshmet në fillimet e veta, edhe shitëse; kur vendosi t’i jepte fund fejesës, vite më parë, pse iu desh të zgjidhte mes saj dhe muzikës dhe sot e gjithë ditën, në një treg të madh muzkor, kur çdo ditë dalin këngëtarë e klipe të reja. Duket një vajzë më këmbë në tokë që ia di vlerën e asaj që ka kaluar dhe që nuk pranon të shfaqet si shumë të tjera këto kohë: vetëm një femër seksi që të lë përshtypjen sikur paranë nuk e ka pasur kurrë problem dhe muzika është vetëm një hobi i momentit. Ky është një rrëfim ndryshe, jetësor dhe i ngjashëm me shumë histori njerëzore që dëgjohen çdo ditë. Historia e një vajze të lindur në Librazh me dy prindër jo të pasur, por që për hir të ardhmërisë së vajzave të tyre la pas shtëpi e katandi për t’u vendosur në Tiranë. Është edhe fati i një vajze të re që ka provuar zhgënjimin e një dashurie të nisur mirë, por që i vuri kushte, bijë e dy prindërish konservatorë që më në fund vendosën të besonin tek vajza e tyre, ditën kur u nis jashtë kufijve për të investuar në karrierën e saj.
“Po kemi ardhur nga Librazhdi në Tiranë kur isha vetëm 14 vjeçe”, thotë ajo. Pas një fëmijërie, siç tregon, modeste, por të lumtur. Bijë e dy prindërve – mamaja shitëse dhe i ati shofer – pak fanatikë për bijat e tyre, Jeta u vendos në një qytet jo edhe aq të panjohur për të. E ëma është nga Marikaj dhe me bashkëshortin e vet është njohur gjatë studimeve në Tiranë. “Prandaj vija shpesh këtu në fëmijërinë time të hershme, vizitonim dajat. Meqë ishte nga këto anë, nëna ime e kishte ëndërr që ne të vinim këtu. Ajo ka qenë sebepi i transferimit tonë”. Viti shënonte 1994 dhe Librazhdi nuk kishte shumë për të ofruar për familjen Faqolli. Por nga ana tjetër Tirana ishte shumë e madhe dhe e vështirë për ta. “Shtëpinë e blemë me një pjesë të parave që morëm nga shitja në Librazh dhe me ndihmën e dajës. Por këto ishin lekë që duheshin larë dhe kjo do të thotë një fillim i vështirë”. Në pjesën e lumtur të viteve në Librazhd ishin edhe angazhimet në festivalet e fëmijëve. Kishte studiuar mandolinë dhe thurte ëndrra të mëdha, paçka se nuk i kishte më shumë se 14 vjeçe. “Kam bërë punë të ndryshme që e vogël. Familja ka qenë një pjesë e rëndësishme gjithmonë. Kështu është sot e kësaj dite”. Por nuk mbetet më pas edhe muzika. Sepse kur shtëpia u bë e tyrja, Jetës u desh të bënte edhe një tjetër zgjedhje. Ka qenë e fejuar dikur, ende shumë e re, por ëndrra për atë fundin me “jetuan të lumtur përgjithmonë” zgjati vetëm tre vjet.
“Vij nga një familje me prindër konservatorë. Fitova një lloj pavarësie vetëm pasi u fejova, por edhe kjo nuk zgjati shumë sepse qëlloi në të njëjtën kohë kur konkurova për herë të parë në një festival kënge”. Nëse prindërit ishin të llojit që kontrollonin çdo hap të së bijës, familja e re ku kishte hyrë nuk e kishte edhe me aq qejf një nuse artiste. Më në fund Jeta, në atë kohë, kishte një këngë të shkruar për të nga Kastro Ziso, “Foleja kundër meja” dhe për herë të parë u ngjit në skenën e Festivalit të Pranverës. Konkuroi dhe në këmbim bëri pakt me veten: me mirë një fejesë e dështuar sesa një jetë tjetër të ngujuar brenda paragjykimit të bashkëshortit dhe familjes së tij. Vendosi të ndahej dhe siç tregon që nga ajo ditë gjërat ndryshuan për mirë. Vetëm pak kohë më vonë do t’i vinin oferta pune dhe kur as e mendonte, edhe prindërit do t’i jepnin bekimin që të vendoste vetë se çdo të bënte me jetën e saj.
“Në atë kohë Studio Xhes më bëri një ofertë për të punuar në Maqedoni. Do të këndoja në një restorant në Strugë dhe pjesë e marrëveshjes ishte që bashkë me mua të vinte edhe nëna ime. Behej fjalë për një punë serioze dhe të paguar mirë. Në atë restorant këndonin këngëtare me emër, vajza që kishin fituar famë që në atë kohë. Duhej vetëm të ishte e zonja në të kënduarit live”. Kështu ndodhi. Shkoi në Strugë dhe si kolege gjeti Moza Paravelin dhe Violeta Markun. Restoranti ishte me emër dhe të zotët njerëz që ia dinin vlerën artistëve që kishin pajtuar me kontrata afatgjatë. Në atë udhëtim të parë Jetën e shoqëroi edhe mamaja, por jo për shumë kohë. “Pasi e pa që bëhej fjalë për diçka serioze u dorëzua. Fanatizmi i prindërve të mi kishte marrë fund. Ime më u kthye dhe ky ka qenë momenti kur fitova pavarësinë time dhe nisa jetën si artiste, me shumë sakrifica për të ngritur një karrierë siç e kisha ëndërruar gjithmonë”. Kjo ishte dhe koha e artë për këngëtare si Jeta që këndonin live. Pune kishte dhe ajo paguhej mirë. Kjo ishte arsyeja që nga një kontratë dy vjeçare Jeta Faqolli jetoi plot gjashtë vjet në Maqedoni. Pas Strugës Loreta Kaçka e ftoi në Gostivar për një tjetër kontratë të ngjashme. Atje filloi edhe studimet e larta për drejtësi dhe ra në dashuri. “U bënë pra tre arsye për të qëndruar: ishte puna, shkolla dhe i dashuri im”. Por edhe me këtë të fundit nuk ishte e shkruar të zgjaste përgjithmonë. Pas një lidhje katër vejjcare Jeta tregon për dy vite kur ndihej si në qiellin e shtatë dhe për dy të tjera që nisën problemet e para deri në vendimin e ndarjes. “Por kjo nuk do të thotë se jam pa fat në fashuri” shton duke qeshur. Jam pak tekanjoze dhe dua të marr më të mirën nga jeta ime. Nëse nuk më pëlqen diçka, sado e vogël qoftë ajo, heq dorë, e largoj nga vetja”.
Kështu i kaloi katër vjet në tjera në Gostivar, me disa kthime të shkurtra në Tiranë, sa për të promovuar albumin e parë, “Mashkull i hutuar”. Në Maqedoni u shndërrua në një emër të kërkuar dhe të famshëm e ndoshta kjo është arsyeja që për shumë kohë pasi u kthye shumëkush e dinte se Jeta ishte një shqiptare nga Maqedonia.
“U ktheva sepse ra puna. Ato kanë qenë vërtetë vite të mbara për karrierën time, por edhe shumë të lodhshme. Më besoni që nuk është e lehtë të këndosh deri në orët e para të mëngjesit, të mjaftohesh më disa orë gjumë dhe të nesermën të shkosh në shkollë”. Sakrifica që ende nuk janë shpërmbyer siç duhet meqë diplomën pret ende të marrë pas disa problemesh që i kanë dalë me deftesën e pjekurisë në Tiranë.
“Ndërsa këtu e nisa me koncerte dhe këngë të reja që të paktën një ose dy herë në vit i shoqëroja edhe me klipe”. Numëron tre albume deri tani, i dyti i titulluar “Provokime” dhe i treti, “Popcorn”, i hedhur në treg vitin e kaluar. Kënga e fundit mban firmën e Stines, “Lojrat që bën ti”, ndërsa nga festivalet kujton edicionin e tetë të Top Fest, në të cilin arriti deri në finale. Aktualisht i ka siguruar vetes dhe familjes së saj mirëqënien e nevojshme sa për t’ia lënë të shkuarës punën për mbijetesë dhe luksin e të pasurit një punë komode që i lë mundësi për të menduar më shumë. “Por nuk jam e pasur”, i përgjigjet pyetjes që të vjen ndërmend pas këtij përshkrimi të gjatë e të hollësishëm. “Po të kisha punuar me muzikë live gjatë gjithë kohës dhe sidomos po të kisha kënduar nëpër dasma, po, atëherë do të isha një këngëtare e pasur. Sot vetëm këngëtarët e dasmave kanë para, por unë nuk më pëlqen ta bëj një punë të tillë. Nuk ndihem mirë në këtë format. Më pëlqen ekrani dhe kam investuar për të qenë pjesë e tij”. I pëlqejnë edhe pjesëmarrjet nëpër festivale, siç ka në plan të ketë edhe një punë të dytë, një biznes që ndoshta do ti bëjë mirë financave dhe të ardhmes. Sa për jetën personale ka vendosur të marrë pushimet për aq kohë sa ende nuk e ka gjetur shpirtin binjak. Eksperiencat që ka kaluar I kanë shërbyer edhe si mësime për t’u menduar mirë para se të hedh një hap të tillë të madh në jetë, ndaj deri kur ky moment të vijë nuk e fsheh faktin se është një 33 vjeçare beqare, në pritje të princit të kaltër. “Por as nuk e kam ndjerë të nevojshme të kem një të dashur. Mendoj se në Shqipëri është e vështirë të gjendet, një i huaj mund të jetë më i përshtatshëm”. Mund të jetë edhe ky një mësim i nxjerrë nga gjithë këto vite të shkuara këtej dhe andej kufirit.
Ndërsa ndez makinën për të marrë rrugën e shtëpisë Jeta Faqolli të siguron për herë të fundit se di të presë dhe të luftojë për gjërat e veta. E ka bërë qysh kur ishte 14 vjeçe dhe mësimi më i vyer që ka marrë është se asgjë nuk mund të fitohet lehtë në këtë botë.
Share
& Comment
Tweet