Të paktën 17 veta u lënduan dhe 66 u ndaluan pas përplasjeve që pasuan një protestë kundër privatizimit të rrjetit të energjisë elektrike.
Në Kosovë, policia përdori gaz lotsjellës për të shpërndarë mbi 100 veprimtarë të lëvizjes Vetëvendosje, që po protestonin kundër nënshkrimit të marrëveshjes për privatizimin e Rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike.
Policia tha se 66 veta janë shoqëruar në polici, ndërsa tetë protestues kanë kërkuar ndihmë mjekësore. Nga pasojat e përplasjeve, sipas policisë, nëntë pjesëtarë të saj kanë kërkuar po ashtu ndihmë mjekësore.
Përplasja pasoi përpjekjet e disa veprimtarëve të lëvizjes Vetëvendosje që të hyjnë në oborrin e qeverisë, për të penguar nënshkrimin e marrëveshjes ndërmjet qeverisë së Kosovës dhe Kompanisë turke “Limak & Calik”, e cila do të paguaj 26 milion euro, për rrjetin e shpërndarjes së energjisë elektrike.
Kryetari i kësaj lëvizjeje Albin Kurti tha se ky është një veprim që dëmton rëndë Kosovën.
“Duhet ta kuptoni që thelbi i këtij problemi është se po e shesin distribucionin e KEK-ut për vetëm 26 milion euro, që do të thotë për 2.5 kilometra asfalt të autostradës, po i shesin 18 mijë kilometra kabllo elektrike, qindra trafostacione e nënstacione, po i shesin të gjithë punëtorët, po i shesin të gjitha ato ndërtesa. Po shesin dhjetëra e qindra hektarë tokë, vetëm edhe vetëm që të mbesin këta në pushtet në kurriz të Kosovës dhe të pasurohen korporatat e huaja e ndoshta edhe ndonjë qeveritar, nëse është në biznes me ta”, tha zoti Kurti
Përplasjet u bënë pjesë e diskutimeve të rrepta edhe në Parlamentin e Kosovës, ku ministri i punëve të brendshme Bajram Rexhepi tha se ishte ai që kishte urdhëruar ndërhyrjen e policisë, duke ju përgjigjur kësisoj kërkesës për sqarime nga ana e deputetit të Vetëvendosjes, Visar Ymeri. Debati i mëtejmë u shmang nga nënkryetari i Parlamentit Sabri Hamiti që po drejtonte seancën.
Derisa po protestohej, qeveria Kosovës dhe kompania fituese nënshkruan marrëveshjen, e cila sipas ministrit të Zhvillimit Ekonomik, Besim Beqaj, paraqet një moment të rëndësishëm për të ardhmen ekonomike dhe energjetike të Kosovës, në pajtim me kushtetutën e saj.
Sipas marrëveshjes, e cila kompaninë e bën pronare të gjithë rrjetit të shpërndarjes së energjisë elektrike, ajo detyrohet që të hyjë në investime në një periudhë afat-mesme prej 300 milionë eurosh dhe pos tjerash, të ruaj edhe vendet e punës për një periudhe trevjeçare.
Marrëveshja e sotme është kundërshtuar edhe nga një grup organizatash joqeveritare, të cilat vlerësojnë se çmimi me të cilin është shitur rrjeti i shpërndarjes së energjisë elektrike është tejet i ulët dhe fyes, ndërsa bëhet thirrje që të ndërpritet ky model i privatizimit.
Lëvizja Vetëvendosje kundërshton privatizimin e ndërmarrjeve në pronësi publike, duke vlerësuar se me këtë po dëmtohet ekonomia e Kosovës që edhe ashtu radhitet në mesin e vendeve më të varfra në Evropë.
Qeveria, ndërkaq pohon se nëpërmjet privatizimit mund të nxitet rimëkëmbja ekonomike e vendit.
0 commenti:
Posta un commento