Klinton-Nishanit: Politika të punojë për integrimin


Sekretarja amerikane e shtetit Hilari Klinton ka kërkuar  nga klasa politike shqiptare të vijojë bashkëpunimin dhe dialogun për përmbushjen e reformave për integrimin e vendit dhe anëtarësimin e plotë në Bashkimin Evropian.

Gjatë një takimi me presidentin e vendit Bujar Nishani, Klinton kërkoi nga Presidenti i Republikës që të shfrytëzojë autoritetin e tij kushtetues për të mbështetur përshpejtimin e procesit të reformave.
Ajo gjithashtu ka vlerësuar  progresin e arritur në Shqipëri  ndërsa garantoi presidentin se Shtetet e Bashkuara të Amerikës kanë qenë, janë dhe do të mbeten partneri dhe aleati më i mirë për Shqipërinë dhe kombin shqiptar.

Nga ana e tij, Kreu i Shtetit duke i cilësuar marrëdhëniet mes dy vendeve si të shkëlqyera, e falenderoi Sekretaren Amerikane për lidershipin e saj dhe u shpreh se shqiptarët shohin te Shtetet e Bashkuara të Amerikës një aleat dhe partner të pazëvendësueshëm.

“Mbështetja për anëtarësimin e Shqipërisë në NATO dhe ndihma e pakursyer që administrata amerikane i ka dhënë dhe po i jep Shqipërisë dhe kombit shqiptar u konsiderua nga Presidenti Nishani si tregues i partneritetit të ngushtë mes dy vendeve dhe një inkurajim për të vazhduar kursin e nisur të reformave dhe procesin e integrimit evropian të vendit” theksoi Nishani.

Të dy bashkëbiseduesit ndanë të njëjtin mendim se Shqipëria ka qenë dhe vazhdon të mbetet një faktor shumë i rëndësishëm në paqen dhe stabilitetin e rajonit dhe se ajo do të vazhdojë të ndjekë politikën e fqinjësisë së mirë, bashkëpunimit dhe dialogut me qëllim, integrimin e përbashkët të vendeve të rajonit në familjen evropiane.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.