Zgjedhjet 2013 dhe përmbushja e standarteve për mbajtjen e tyre ka qenë kryefjalë e takimit të sekretares së shtetit të SHBA-së, Hilari Clinton gjatë takimit të mbajtur me liderin e opozitës Edi Rama.
Në një konferencë për mediat, Rama teksa vlerësoi rëndësinë e kësaj vizite dhe nënvizoi faktin se asistimi i shtetit amerikan gjatë procesit zgjedhor do të jetë një garaci për arritjen e standardeve për zgjedhje të lira dhe të pranueshme, në mënyrë që qytetarëve shqiptarë tu kthehet besimi tek vota.
“Zgjedhje të lira, institucione të drejta, konkurencë e lirë. Shqiptarët kanë nevojë të besojnë me votë se kush duhet të qeverisë. Ne do bëjmë cmos që besimi tek vota të triumfojë mbi besimin e humbur nga e kaluara. Mbështetja dhe asistimi i SHBA-së është një garanci në këtë drejtim për zgjedhje të lira dhe të ndershme”tha ai.
Duke vlerësuar rolin e padiskutueshëm të SHBA,në gjithë kalvarin historik të kombit shqiptar, si në pavarësinë e Kosovës ashtu dhe në proceset e zhvillimit të vendit tonë, vecanërisht në anëtarësimin e Shqipërisë në NATO, Rama deklaroi se ka garantuar sekretaren Klinton se vendi ynë do të jetë përkrah shtetit amerikan në të gjitha misionet e saj paqëruajtëse në botë, ndërsa theksoi se kombi ynë do të jetë gjithnjë mirënjohës ndaj Amerikës.
“E falenderova për vizitën inkurajuese dhe fjalimin fantastik në parlament, e falenderova dhe për kohën që gjeti për të dëgjuar zërin e opozitës. Kurrë nuk do shterojë mirënjohja e shqiptarëve ndaj SHBA, për pavarësisnë e Kosovës, mbështetjen e Shqipërisë si në rastin e anëtarësimit në NATO. E garantova se ne do të vazhdojmë të luajmë rolin tonë krah për krah në misionet e saj në botë” theksoi Rama.
Ndërkaq jashtë vëmëndjes nuk ka mbetur dhe programi i PS-së për një Rilindje Shqiptare, ku kreu i selisë rozë tha se ka ndarë me Clinton aspiratën e përbashkët për një sitem të lirë arsimor si dhe fokusimin tek të rinjtë për sigurimin e një të ardhme sa më premtuese për ta.
Rama ndër të tjera falenderoi dhe Ambasadën Amerikane në Tiranë lidhur me organizimin e të gjithë vizitës së zonjës Clinton në vendin tone, ku sic tha ai u la të gjithëve një mësim mbreslënës.
Në kuadër të vizitës së saj, sekretarja e shtetit amerikan Hilari Clinton ka pasur takime me Presidentin e Republikës Bujar Nishani, kryeministrin Sali Berisha, për të pasuar më pas me një fjalim të saj në Kuvendin e Shqipërisë dhe në fund me kreun e opozitës Edi Rama.
Share
& Comment
Tweet