Eni, tekstin e ndjerë të këngës së Gretës “Më sheh nga lart”, me të cilën ka marrë pjesë në “Kënga Magjike” e ke shkruar ti, apo jo, kushtuar gjyshes suaj që ka pak kohë që është ndarë nga jeta…
Po, është e vërtetë. Unë e kam shkruar me një ndjesi të veçantë, pasi frymëzimi ka ardhur nga një mall brenda familjes. Motivi ka qenë humbja e jetës së gjyshes sonë (nënës së mamit), pasi ka gjashtë muaj që është ndarë nga jeta dhe ne ngaqë na ka rritur, e kemi dashur dhe na donte jashtë mase shumë, ndaj na duket sikur me realizimin e kësaj këngë kushtuar gjyshes sonë, por edhe të gjithë njerëzve të dashur të çdo njeriu, i sjellim më afër vetes.
Ajo u largua papritur nga jeta apo e prisnit?
Ishte e sëmurë, por nuk e mendonim kurrë që mund të ndahej nga jeta. E shtruam në spital dhe i kemi ndenjur tek koka dhe duke i mbajtur duart për rreth një javë e ajo çuditërisht reagonte nga bisedat dhe përkëdhelitë tona.
Cila nga ju vazhdon ta vuajë më shumë këtë ngjarje? A e shihni në ëndrra?
Të dyja e vuajmë, por Greta e vuan më shumë, pasi gjyshja ka qenë më e lidhur me Gretën. Sigurisht një njeri të dashur që nuk e ke më pranë në realitet, do të dalë vetëm në ëndrrat e tua... Dhe neve vazhdon të na ndodhë kjo vazhdimisht…
Kur të shkoi në mendje që të shkruaje një tekst kushtuar gjyshes?
Thjesht nga malli dhe nga ndjesia e brendshme shpirtërore vendosëm të realizonim një këngë kushtuar njerëzve më të dashur që nuk i kemi më pranë, në aspektin e përgjithshëm për secilin person, pasi me këtë motiv ne ngushëllojmë vetveten. Kur erdhi momenti i pjesëmarrjes në “Këngën Magjike”, menduam së bashku me Gretën: “Pse jo në këtë festival kaq prestigjioz të mos japim një mesazh kaq pozitiv për njerëzit?!”
Sa kohë ju desh që ta përfundonit si këngë?
Duke pasur parasysh tekstin, që ishte aq shpirtëror dhe u realizua menjëherë, krijimin muzikor e kishim më të orientuar për ta realizuar dhe përshtatur me atë që ne kërkonim për të nxjerrë në fabulën e tekstit, kemi punuar rreth një javë.
Mamit tuaj me siguri i është bërë shumë qejfi, apo jo?
Sigurisht që mamit i është bërë shumë qejfi që ne fëmijët e saj kujtojmë nënën e saj, por më tepër asaj i bëhet qejfi për motivin e zgjedhjes së rrugës sonë.
Eni, a të ka mbetur ndonjë peng në lidhje me marrëdhënien me gjyshen?
Sa ishim së bashku dhe zgjohesha çdo mëngjes me të, mendoja se çdo ditë e re do të jetë po njësoj, do të ishte me mua në të njëjtin vend. Ajo që kam konstatuar është se njerëzit që duam më shumë nuk do t’i kemi çdo çast pranë (ashtu siç ne mendojmë kur zgjohemi në mëngjes), do të vijë një ditë që do të na lënë të vazhdojmë të vetëm rrugën tonë. Pra, mendoj shpesh që nuk i kam shërbyer dhe respektuar aq sa mundesha dhe do të doja... Dua t'ia përcjell si mesazh të gjithë të rinjve: dojini dhe respektojini njerëzit me të dashur për ju sa i keni pranë... Kur t’i humbisni, do të jetë shumë vonë për t’u penduar...
Kam parë që deri më tani kënga “Më sheh nga lart” është pritur mirë nga fansat, kryesisht edhe për shkak të tekstit besoj. Ju çfarë pritshmërish keni, për një çmim?
Kënga është pritur shumë, shumë mirë, për faktin se vetë ne shqiptarët jemi shumë të ndjeshëm dhe njerëzorë dhe sigurisht motivi i këngës ka tërhequr dhe audiencën e madhe, pasi çdo njeri gjen vetveten tek kjo këngë. Për sa i përket çmimit dua të theksoj se formati i “Këngës Magjike” është disi i veçantë nga festivalet e tjera, pasi për gjykimin e këngës dhe këngëtarit vlerësimin e bëjnë vetë këngëtarët për njëri-tjetrin dhe nga ky gjykim pozicionohen çmimet. Tashmë dihet që Greta është një këngëtare profesioniste dhe shpresoj që artistët konkurrentë në “Kënga Magjike”, të gjykojnë realisht dhe kam besim tek artistët e vërtetë, pasi artisti ka botë, shpirt dhe ndjeshmëri të veçantë.
Eni, duket se e ke marrë shumë seriozisht shkrimin e teksteve…
Nuk e di, por më vjen instinktivisht krijimtaria e teksteve muzikore dhe asnjëherë nuk kam pasur dëshirë ta nxjerr emrin tim në krijimtaritë e mia. Dua t'ju tregoj që për mua nuk është teksti i parë që realizoj. Në 90% të këngëve të mia tekstet i kam realizuar vetë, si p.sh., “Je gjithçka”, “Love me” etj., ndërsa nga këngët e Gretës kam realizuar tekstet e këngëve "Koha s'ndal", "Pyes veten", "Më sheh nga lart"...
Share
& Comment
Tweet