Mbipesha si problem i të kuptuarit të jetës


DR. Magdalena Ramohito

Në tërë botën e zhvilluar, ka kohë që bëhet një luftë e madhe kundër dhjamit. P.sh në SHBA është një reklamë, e cila thotë me pak fjalë se kur të vijnë Marsianët në Tokë të parëve që do t’iu sulen janë njerëzit e dhjamur. Siç  dihet Franklin D. Roosevelt u zgjodh President i SHBA-ve në nëntor të vitit 1932, ndërsa në muajt e mëpasëm dhe pikërisht në mars numëroheshin 13 000 000 të papunë dhe pothuajse shumica e bankave të mbyllura. Në programin që i propozoi Kongresit, “Për ringritjen e bankave dhe rritjen e punësimit” një vend të rëndësishëm zinte zhvillimi i bujqësisë, ku ai projektoi ‘Politika direkte’ të çmimit në bujqësi, të cilat janë jashtëzakonisht të vështira për t’u aplikuar. Madje mu për këtë iniciativë të tij atë e quajtën “socialist”, ndërsa ai u përgjigj: Po unë jam një socialist.

Pasi ky program u miratua hambarët e Amerikës u mbushën e si pasojë çmimet e blerjes me pakicë të produkteve ushqimore u bënë më të ulëtat në botë. Logjikisht pas një urie të gjatë të trashëguar në breza, në momentet e para të gjetjes së bollëkut, sasia e ushqimit që merret nuk kontrollohet dhe menjëherë shfaqet mbipesha, e cila më pas sjell edhe pasojat e pakëndshme, si sëmundjet e ndryshme të trupit, apo të dukurit joestetik në sytë e të tjerëve. Kjo ndodhi në Amerikën e pas depresionit të madh ekonomik dhe kjo ‘sëmundje’ akoma vazhdon të jetë prezente. Në fakt gjithë filozofët pa përjashtim, kanë qenë të preokupuar për një jetë të pastër për njerëzit; të pastër në kuptimin e shpirtit dhe e kanë krahasuar atë me trupin e njeriut që ushqehet në mënyrë të shëndetshme. Ata porosisin njerëzit, që t’i japin trupit vetëm atë që është e domosdoshme për të gëzuar shëndet të plotë, ta kalitin, në mënyrë që të përmbushë dëshirat e zemrës dhe ta ushqejnë sa të përmbushë urinë, t’i japin ujë sa të shuajë etjen, të veshin trupin sa të ruhet nga të ftohtit. Deri këtu gjërat duken se erdhën mirë, por kur filozofët hyjnë në mes....atëherë çështja ndërlikohet. Kur i lexojnë këto rreshta, sidomos ai segment lexuesish me ambicie të mëdha në jetë, fytyra fillon e ngryset, balli rrudhet paksa, dhe ndonjëri nxiton të thotë për aksh filozof se –ai ka qenë i çmendur. Pra këtu fillon diskutimi mbi masën e përdorimit të gjërave, por sigurisht është një diskutim që nuk mbaron prandaj në tryeza debatesh të televizioneve të vendeve të zhvilluara,( në të cilat ‘uria’ nuk njihet praktikisht), çështja e stilit të jetesës është një diskutim i hapur. Por në një vend të varfër siç jemi ne në Shqipëri, tryeza të tilla debatesh nuk ka edhe me sa duket nuk do të ketë, madje edhe kur tentohet të bëhen mikrodebate mes ‘agallarësh’ të rinj, ky diskutim nuk para ecën. Ngec aty-këtu, sepse audienca është e varfër, është realisht e varfër..dhe kur dëgjon intervista pasanikësh mbi sasinë e ushqimeve që ata konsumojnë në muaj, nuk mund të mos u shkojë mendja te llogaritë e tyre në listat e gjata...Gjithsesi specialistët e ekspertët e këtij vendi e kanë për detyrë të shkruajnë e të diskutojnë mbi këto çështje shumë me rëndësi për shëndetin e njeriut, fare pa ndrojtje e breje ndërgjegjeje,pasi  për këto duhet të vrasin mendjen politikanët. Në një nga të përditshmet e medies së shkruar jepeshin figura politikanësh në dy pamje: kur ishin në opozitë, dhe kur ishin në pushtet. Thjesht pamja fizike e tyre kish pësuar një ndryshim dramatik. Dikush nga shumë i dobët i kthyer në shumë obez, dikush nga shumë e dobët e kthyer në shumë “elegante”. Pra në momentin që janë gjendur përpara mundësisë për të përdorur “të mira” që të ofron pushteti secili i kishte shfrytëzuar duke i krijuar vetes një lloj dhjami njësoj të dëmshëm, pra një tepricë gjërash. Tre vjetët e fundit,  kur kthehesha nga puna e bëja rrugën më këmbë. Gati çdo ditë, dyqind metra larg portës së institucionit nga dilja, ndeshja në  trotuar një nënë të re rome me vajzën e saj të vogël ulur mbi një shtroje të vjetër. Një pamje e bukur njerëzore nga njëra anë, e dhimbshme në anën tjetër, nuk e di të përziera bashkë si qumështi me kafenë më vinin tek unë. Duke i parë çdo ditë kuptova se nëna këndonte që e bija të kërcente për t’u ngrohur pa e menduar se kjo gjë do ti sillte vajzës së saj atë gëzim që normalisht i sjell tingulli i melodisë çdo qenieje  njerëzore. Ajo priste ndonjë lëmoshë, por me një lloj sqime në mund ta quaja kështu, sepse nuk e shtrinte dorën, thjesht linte të kuptohej...E përshëndesja vajzën e vogël që më priste rrugën duke më mbështjellë krahët e saj të vegjël rreth gjunjëve të mi – hej bukuroshe! Dhe i jepja ndonjë gjë të vogël si për shembull karamele që më gjendeshin shpesh në xhep dhe kjo i jepte një kënaqësi siç dukej e të nesërmen ecte disa hapa përpara drejt meje duke përsëritur shprehjen time- “bukuroshe”...Një nënë pa asnjë të vetme mundësi ishte ajo grua imcake, që për nga bukuria fizike do ta kishte zili çdo grua e pasur që shfaqet nëpër revista e ekrane e trukuar e plot sofizma, me një vajzë po aq të bukur e imcake, që me sa duket e pret në të ardhmen fati i nënës së vet. Ka sot në Shqipëri shumë si ato të cilat nuk mund t’i kapin mundësitë, që thjesht nuk ekzistojnë, ose janë monopol i krijuar nga pakica. Këto qenie njerëzore të pafajshme  nuk rebelohen dot, thjesht presin...Presin që një ditë të ndalet babëzia që ka pushtuar mendjet e zemrat e atyre që kanë monopolizuar gjithçka, duke shkaktuar kaq shumë vuajtje, dhimbje madje edhe viktima në mënyrë krejt të panevojshme. A do t’ia  dalim të shkarkojmë njerëzit e ngarkuar nga dhjamët e tepërt, sepse i ndihmojmë ata nga njëra anë e nga ana tjetër do të ndihmojmë edhe ata mijëra që kanë llogaritë nëpër lista të pashlyera?... Të luftosh dhjamin sot në mbarë botën është një sfidë e madhe në mbrojtje të planetit.

Share

& Comment

0 commenti:

Posta un commento

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.