Paloka: S`ka konsensus për Fierin, reformat në dorë të Ramës


Mazhoranca nuk do të lëshojë pe për qarkun e Fierit, edhe nëse këto cojnë automatikisht në bllokimin e dy ligjeve në Kuvend dhe për pasojë edhe bllokimin e statusit kandidat për në BE. Ky ka qenë qëndrimi i prerë i ligjvënësit demokrat, Edi Paloka në RTV Ora News në intervistën e lajmeve të orës 20:00 me drejtorin e Informacionit Patrik Sadikaj. Sipas Palokës e vetmja pikë ku mazhoranca qeverisëse mund të tërhiqet është reforma parlamentare, për të cilën mund të gjendet një konsensus i përbashkët, ndërsa sa i përket ligjit për gjykatën e lartë dhe atë të statusit për nënpunësin civil, Paloka thekson se kjo është në dorën e  kryesocialistit Rama, mes dëshirës ose jo për ti votuar. Megjithatë duke iu referuar sërish bllokimit të qarkut të Fierit, deputeti demokrat deklaron se ajo cfarë është realitet në gjithë këtë situate, është fakti se shumicën e këshilltarëve i ka PD.


“Politika shqiptare ka treguar më se njëherë që mund të bëjë edhe marreveshje, vetë kreu i PS-së ka qenë pjesë e marrëveshjeve të rëndësishme kur ai ka dashur. Momemtalisht kjo është situata që njohim të gjithë. Është më se e qartë për të gjithë ku është pengesa, i thuhet PS ulu voto ligjet e kaluara në Komisionin e ligjeve. Po kështu është edhe reforma parlametare ku ajo varet dhe nga ne, ku mund të lëshojmë pe sic e kemi bërë. Qëndrimi i Ramës është absurd, duke e kushtëzuar votimin e ligjeve me qarkun e Fierit, pozicioni i tij është aspak komod, fati i statusit është në dorën e tij. Fieri nuk është cështje që varet nga Sali Berisha apo dikush tjetër, ai ju dha idenë e mocionit, rrugë tjetër nuk ka. Ligjërisht nuk mund të dalë kryetar qarku ai i PS. Nëse iu shitën atyre këshilltarët kjo është punë e tyre, ndodh rëndom në pushtetin lokal. Këtu ka edhe interesa të brendshëm, edhe sikur t`iu thotë Berisha votoni këtë, ata do të votojnë atë që kanë interes për të. Shumica e vendimeve të gjykatave janë në favor të PD, realiteti është që shumicën e këshilltarëve i ka PD” deklaroi Paloka.


E siç ndodh rëndom në të tilla situata, sa herë që politika shqiptare mbyll urat e komunikimit shpresa e fundit mbetet ndërhyrja e ndërkombëtareve, që duket se do jetë vendimtare edhe përpara 20 dhjetorit 2012.


“Besoj që kjo është bërë e qartë, ndërkombëtarët me të tyren e kanë dhënë statusin. Duket qartë kjo, e trajtojnë edhe cështjen e kushteve si dicka elementare, rutinë kjo më bën të mendoj se ata nuk e kanë njohur mirë Ramën, janë histori të përsëritura të tij. A do jetë presioni i ndërkombëtarëve që do ta detyrojnë të tërhiqet, uroj të jetë kështu. Nuk mund të lidhen gjëra të tilla, që s`kanë lidhje me njëra-tjetren” theksoi ai.


I pyetur nëse ky qëndrim mund të jetë një lojë politike e PS në funksion të betejës elektorale, Paloka u përgjigj:

“Fatkeqësisht është kështu, Rama gjatë gjithë kohës ka menduar se do të ketë përfitime politike duke bllokuar, së pari vizat, tani statusin. Janë gafa politike. Gafa e fundit e tij është që Shqipëria mori rekomandimin për marrjen e statusit dhe pikërisht para zgjedhjeve. Sido të veprojë ai, nëse nuk jep statusin të gjithë shigjetat do të jenë të fokusuara prej tij, s`ka më dilema, s`ka 12 pika ku të rrotullohet, janë 3 dhe të përcaktuara mirë, është i gozhduar” u shpreh deputeti Paloka.


Qëndrim të prerë Paloka ka dhënë edhe në lidhje me grevën e ish të përndjekurve politikë, ku deklaroi se mazhoranca nuk do denigrojë figurën e kësaj shtrese të nderuar, duke bërë pakt me grupin e përzgjedhur të Edi Ramës, të cilët sipas tij vetëm përfaqësues të kësaj shtrese që nuk janë. Edhe përballë presionit të ndërkombëtarëve për dialog me grevistët, Paloka vlerëson se një shans iu dha me takimin e Presidentit, por nuk e deshën. Për Palokën zgjidhjen e ofron mjaft mirë projektligji i krijuar me konsensusin e dy palëve, ndërsa kërkesat e parashtruara prej grupit grevist sipas tij janë absurde.


“Mendoj se është e qartë, jo për faktin se kush fiton politikisht nga kjo grevë, por dhe se kush po përfshihet në të. Nuk besoj se ata njerëz digjen falas para kamerave dhe as për ndonjë parim apo ideal. PS kërkon të denigrojë klasën e të përndjekurve politikë me atë tufë që ka vendosur aty për drejtimin e tyre. Nuk janë të përndjekurit politikë që digjen për para, që vrasin veten dhe shokët për lekë, nuk janë ata që drejtojnë prostitucionin apo të përfshirë në mashtrime. Së dyti është statusi, cadra para rekomandimit për statusin, si në rastin e vizave, por atëherë ishin luksoze të paktën. Ndërhyrja e ndërkombëtarëve është normale, për të zgjidhur situata që s`janë të këndshme për askënd, pavarësisht pse bëhen. Nëse do kishte vullnet për ta mbyllur këtë cështje do e kishin mbyllur, u takuan me Presidentin, po të donin do ta kishin bërë fakt të kryer. Jane absurde ato që kërkojnë ata, janë të përcaktuara në ligj, nuk ka më c`të bisedohet dhe aq më pak me ata njerëz që ka zgjedhur Rama, nuk janë përfaqësuesit e ish të përndjekurve ata, kjo do të binte ndesh dhe me parimet tona. Ne nuk mund tu japim këtyre atë status që kërkon Rama” tha më tej ai.


Në kohën kur fushata elektorale për zgjedhjet parlamentare ende nuk është çelur zyrtarisht, Paloka vlerëson se pavarësisht se priten zgjedhje të vështira për vetë klimën politike të krijuar në vend, Shqipëria dhe mazhoranca qeverisë do ta kalojnë me sukses testin e zgjedhjeve, të vlefshëm edhe për hapjen e negociatave për anëtarësimin në BE. I vetmi shqetësim për të mbetet fakti sesi do ta justifikojë kreu i PS humbjen në zgjedhjet 2013, i bindur se edhe nëse kjo mazhorancë nuk ka bërë gjithcka në 8 vite, përballë një rivali si Rama shqiptarët do dinë të zgjedhin të keqen më të vogël.


“Lidhur me zgjedhjet ne i kemi dhënë provat, gjithmonë janë certifikuar. A do ta kalojmë edhe këtë herë? Sigurisht unë mund të jap garanci për pjesën që i takon qeverisë, ka përgjegjësinë më të madhe, por mos harrojmë që zgjedhjet i bëjnë dy palët dhe gjatë viteve ka pasur tentativa për prishjen e tyre. Rama kaq agresiv ka qenë dhe në zgjedhjet e tjera, por këto kanë një specifikë, se vinë pas 8 viteve në opozitë. Moralisht për të është dyfish më e rëndë humbja. Kurioziteti për mua është cfarë do bëjë Rama pas humbjes, si do justifikohet? Do jenë zgjedhje të vështira, por do ta kalojmë me sukses edhe këtë provë. Ka boll për të thënë cfarë ka bërë. Ka shumë faktorë që sjellin rritje në favor të PD, faktori kryesor në favorin tonë është vetë Edi Rama. Shqiptarët do jenë të detyruar të zgjedhin mes Ramës dhe Berishës, do duhet të zgjedhin të keqen më të vogël edhe nëse marrim rastin sikur si kemi bërë të gjitha mirë” deklaroi në Ora News deputeti i PD-së Edi Paloka.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.