Clinton do të dorëhiqet, ja kandidatët për postin e Sekretarit të Shtetit

Clinton do të dorëhiqet, ja kandidatët për postin e Sekretarit të Shtetit


Sekretarja amerikane e Shtetit Hillary Clinton thotë se ajo do të japë dorëheqjen nga posti i saj ndërkohë që presidenti Barak Obama përgatitet për mandatin e tij të dytë. Korrespondenti i Zërit të Amerikës Scott Stearns i hedh një vështrim kandidatëve të mundshëm që do të do të zëvendësojnë sekretaren Clinton.

Sekretarja Clinton e njoftoi vendimin e saj për t’u larguar, në fillim të këtij viti, duke i thënë punonjësve në Departamentin e Shtetit se ajo ka nevojë për pushim.

“Unë do të qëndroj deri sa presidenti të emërojë dikë tjetër dhe deri sa të mbarojë kalimi i kompetencave te personi i ardhshëm, por pas 20 vjetësh pune në nivele të larta të politikës amerikane dhe të gjitha sfidave që shoqërohen me këto angazhime, kam arritur të kuptoj se jam e lodhur”.
Pas rizgjedhjes së presidentit, zëdhënësja e Departamentit të Shtetit, Victoria Nuland tha se plani për dorëheqjen ende qëndron.

“Ju keni dëgjuar shumë herë sekretaren Clinton duke thënë se ajo ka në plan të qëndrojë në detyrë deri sa të mbarojë kalimi i detyrave te pasuesi i saj dhe pastaj ajo do të kthehet në jetën private dhe do të pushojë, do të merret me shkrime dhe gjëra të tjera të kësaj natyre”.

Kush do të zgjidhet nga Presidenti Obama për të zëvendësuar zonjën Clinton?
Senatori nga shteti Masaçusets John Kerry është konkurrent kryesor për këtë post. Si kryetar i Komisionit të Senatit për Marrëdhëniet me Jashtë, ai është aktiv në politikën e jashtme amerikane, veçanërisht në Pakistan dhe Afganistan. Si një ish kandidat presidencial, ai gëzon të njejtën njohje që gëzonte zonja Klinton për të avancuar synimet amerikane.

Ai është njeriu që Presidenti Obama zgjodhi për ta ndihmuar në përgatitjet për debatet me kandidatin republikan Mitt Romney dhe fushata e zotit Obama e ka përdorur senatorin Kerry në një reklamë politike anti-Romney.

“Romney thotë vetëm gjëra që nuk janë të vërteta apo të papërgjegjshme dhe është i gatshëm që për arsye politike të vërë në rrezik politikën tonë të jashtme”.

Pengesë për zotin Kerry mund të jetë vendi i tij në senat. Çdo president që zgjedh një senator për një post në kabinetin e tij merr parasysh ruajtjen e shumicës së partisë së tij në Kongres. Sidomos tani kur demokratët kanë një shumicë të vogël në Senat.

Senatori republikan i shtetit Masaçusets Scott Brown e humbi me rezultat të ngushtë garën për t’u rizgjedhur këtë javë. Nëse John Kerry merr postin e sekretarit të Shtetit, zoti Brown do të jetë kandidati kryesor për të zëvendësuar senatorin Kerry.

Ambasadorja e Shteteve të Bashkuara në OKB, Susan Rice është një tjetër pretendente e rëndësishme për të zëvendësuar sekretaren Clinton.

Pjesa më e madhe e punës diplomatike në Nju Jork pasqyron atë që ndodh në skenën botërore, prandaj posti i ambasadores në OKB është përgatitje e mirë për postin e sekretares së shtetit. Ish sekretarja e shtetit Madeleine Albright ndoqi këtë rrugë.

Por emërimi i zonjës Rice për postin e Sekretares së Shtetit mund të shkaktojë kritika të mëdha nga republikanët në Senat në lidhje me trajtimin nga admistrata e presidentit Obama të sulmit terrorist të shtatorit kundër konsullatës amerikane në Bengazi të Libisë ku u vranë katër amerikanë, përfshirë ambasadorin Chris Stevens.

Nuk ka prova që e lidhin ambasadoren Rice me vendimet rreth sigurisë në Bengazi. Por, pas sulmeve në Bengazi, ambasadorja Rice ishte zëri kryesor i administratës së presidentit Obama në rrjetet televizive në të cilat ajo ka përsëritur pretendimin se dhuna u shkaktua nga demonstratat kundër një videoje në internet që tallet me profetin Muhamed. Që atëherë ky version i shpjegimit të ngjarjeve është tërhequr. Malou Innocent është analist i politikës së jashtme në Institutin Cato në Uashington.

“Ka ende shumë pyetje rreth sulmit terrorist nga militantët në Bengazi, dhe unë mendoj se mund të jetë problematike. Megjithatë, ajo do të mbetet një konkurrente e fortë për postin dhe do të shohim se çfarë do të ndodhë gjatë konfirmimit të saj në Senat”.

Një tjetër kandidat i rëndësishëm për të zëvendësuar sekretaren Clinton është Tom Donilon, i cili tani është këshilltar për Sigurinë Kombëtare. Posti i tij ka të bëjë kryesisht me politikën e jashtme të presidentit dhe këtë post me parë e kanë mbajtur edhe Henry Kissinger, Colin Powell, dhe Kondoliza Rajs para se të bëheshin sekretarë shteti.

Zoti Donilon është një veteran i administratës së ish presidentit Bill Klinton, ku ai ka punuar për zgjerimin e NATO-s dhe më 1995 ishte i përfshirë në përpjekjet për arritjen e Marrëveshjes së Dejtonit, e cila i dha fund luftës në ish-Jugosllavi.

Nuk ka asnjë afat kohor për dorëheqjen e Sekretares Clinton. Por presidenti Obama mund të emërojë një kandidat për zëvendësimin e saj para përfundimit të vitit në mënyrë që pasuesi i sekretares Clinton të jetë i pranishën në ceremoninë e betimit të presidentit në janar të vitit të ardhshëm.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.