Komisioni Europian ka bërë një rekomandim pozitiv në tetor për marrjen e statusit të kandidatit por duke e kushtëzuar me miratimin e ligjit për Gjykatën e Lartë, atë të Nëpunësit civil dhe Rregulloren e parlamentit, dhe përpara mbledhjes së Këshillit të ministrave të vendeve anëtare, Komisioni duhet që javën e ardhshme të informojë nëse këto kushte janë plotësuar.
Por të dyja palët nuk kanë lëvizur nga qëndrimet e tyre. Tre ligjet e kërkuara nga Komisioni Europian kanë mbetur të bllokuar nga problemi i qarkut të Fierit, për të cilin opozita thotë se janë një seri vendimesh gjykate që i japin të drejtë asaj.
Kryeministri Sali Berisha refuzoi dje kërkesën e kreut të PS-së Edi Rama për tu mbledhur në një tryezë për të zgjidhur çështjen e Fierit duke shtuar se nuk mund të ulet në tyrezë për të diskutuar vendimet e gjykatave.
“Zoti Rama për çdo gjë mund të ftosh për tu mbledhur dhe të garantoj se pavarësisht nga pozicionet që kemi, unë do të shqyrtoj me seriozitetin më të madh ftesat e kryetarit të partisë më të madhe opozitare dhe jam ulur sa herë është konsideruar e nevojshme dhe do të ulem me të, por për një gjë dhe ja kam faktuar atij dhe kujto tjetër se nuk do të ulemi kurrë për vendime gjykate. Për vendime gjykatash çdo vend i lirë ka institucionet e zbatimit të ligjit. Vendimet e gjykatave janë ligje, jo në kuptimin e tekstit të votuar në parlament, por në kuptimin e forcës dhe detyrimit të zbatimit të tyre” tha Berisha.
Kryeministri përsëriti variantin e mbajtjes së mocionit të mosbesimit ndaj përfaqësuesve të shumicës në qarkun e Fierit, një praktikë të cilën vetë socialistët tha ai e kanë aplikuar në disa komuna e bashki të këtij qarku.
Por socialistët kanë refuzuar këtë propozim i cili sipas tyre është anti ligjor pasi për këtë çështje këmbëngulin ata janë shprehur gjykatat.
Kreu i PS-së Edi Rama ka ripërsëritur dje qëndrimin për të mos miratuar sot tre ligjet e kërkuara nga Brukseli pa u zgjidhur më parë çështja e Fierit.
“Fieri është shembulli më flagrant i mosfunksionimit të demokracisë. Kjo është e vërteta dhe asgjë tjeter përveç të vërtetës. Nuk ka rëndësi për PS se kush do e drejtojë qarkun, por është në pikëpyetje funksionimi i shtetit të së drejtës, respektimi i gjykatave dhe i vendimeve gjyqësore të formës së prerë në funksion të shprehjes së lirë të vullnetit të 300 mijë njerëzve të trupës zgjedhore. Ne nuk mund të ngrejë kartonin në parlament duke pranuar që legjislacioni të mbetet karton dhe integrimi të mbetet një fals të një çështje që dëmton përsëri palcën e shtetit të së drejtës që ngrihet mbi lirinë dhe të drejtat e zgjedhjeve” tha Rama.
Një tjetër ngërç është edhe reforma parlamentare e mbetur pezull vetëm në përcaktimin e ndërhyrjeve në parlament të kreut të opozitës ndaj deklarimeve të kryeministrit.
Kryeministri Berisha ka thënë se ka rënë dakort që replika e opozitës të jetë 10 minuta e jo dy sa ç’është tani. Por socialistët këmbëngulin se çështja shtrohet te trajtimi i barabartë dhe jo te koha e se sipas tyre e drejta e replikës duhet të jetë ndaj çdo ndërhyrjeje të kryeministrit. Por sipas zotit Berisha kjo do të barazonte kreun e opozitës me atë të qeverisë dhe kjo nuk mund të ndodhë.
Me miratimin e dy ligjeve dhe reformës parlamentare Shqipëria do të plotësonte të paktën detyrimet e saj direkte, duke i hapur rrugë propozimit të pakushtëzuar të Komisionit dhe gjithçka do të ishte më pas në dorën e vendeve anëtare nëse do t`ia jepnin ose jo Shqipërisë statusin e kandidatit për në Bashkimin Europian.
0 commenti:
Posta un commento