Nishani-Lykketoft: Do vijojmë me reformat pavarësisht kostos


Kreu i Shtetit Bujar Nishani ka deklaruar se vendi do të vijojë përpara me reformat për marrjen e statusit të kandidatit  pavarësisht kostos së tyre.
Deklarata e presidentit Nishani është bërë  gjatë takimit me Kryetarin e Parlamentit të Mbretërisë së Danimarkës, Mogens Lykketoft të cilit iu shpreh se marrja e statusit të vendit kandidat është një moment inkurajimi për Shqipërinë dhe shoqërinë shqiptare.
“Shqipëria dëshiron të hyjë në Bashkimin Evropian si kontributor dhe jo si konsumator”, u shpreh Presidenti Nishani gjatë takimit.
Nga ana e tij, Kryetari i Parlamentit të Danimarkës, Lykketoft shprehu admirimin e tij për arritjet e Shqipërisë gjatë dy dekadave të demokracisë së re shqiptare.
Lykketoft ritheksoi rolin e Danimarkës në mbështetje të politikës së zgjerimit të Bashkimit Evropian duke u mbështetur në Kriteret e Kopenhagenit në vitin 1993. Sipas tij zgjerimi më i madh i Bashkimit Evropian në vendet e Evropës Juglindore në 2002-in kanë ndodhur gjatë presidencave daneze të Këshillit të Evropës.
Ndërkohë të dy bashkëbiseduesit ranë dakord se do të vazhdojnë bashkëpunimin e tyre për zgjerimin e BE-së drejt Ballkanit Perëndimor dhe veçanërisht për integrimin e Shqipërisë në Bashkimin Evropian.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.