Panariti: Mbështesin fuqimisht një Tunizi demokratike dhe moderne


Në ditën e dytë të vizitës në Tunizi, Ministri i Jashtwm dhe njëkohësisht President i Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës,  Edmond Panariti, zhvilloi takime me zyrtarët më të lartë të shtetit tunizian, Presidentin, Kryeministrin dhe Ministrin e Jashtëm. Në këto takime ai shoqërohej nga Presidenti i Asamblesë Parlamentare të Këshillit të Europës,  Jean-Claude Mignon, dhe Presidenti i Komisionit të Venecias, Gianni Buquicchio.
Në takimin me Kryeministrin,  Hammadi Hebali, Ministri Panariti përshëndeti zhvillimet pozitive në vend të cilat erdhën si pasojë e revolucionit demokratik, që filloi në Tunizi dhe u përhap në vende të tjera të Afrikës së Veriut, duke marrë emrin “Pranvera Arabe”. Ai theksoi domosdoshmërinë e përshpejtimit të reformave në vend që kanë si synim konsolidimin e institucioneve demokratike, miratimin e legjislacionit sipas standardeve më të përparuara, mbrojtjen dhe promovimin e lirive dhe të drejtave themelore të njeriut, si ato individuale ashu dhe kolektive. Në këtë drejtim ai u ndal posaçërisht tek nevoja e miratimit të një kushtetute të hartuar mbi kontribute gjithëpërfshirëse që reflektojë interesat dhe aspiratat e popullit tunizian bazuar në parimin e ndarjes së pushteteve dhe sanksionimin e lirive dhe të drejtave të njeriut. Njëkohësisht, ai i vlerësoi se organizimi i zgjedhjeve të lira dhe të ndershme parlamentare vitin e ardhshëm në Tunizi do të ishte prova më të rëndësishme të demokracisë në vend.
Ministri Panariti tha se vjen nga një vend që ka përjetuar një të kaluar totalitare dhe se mirëkupton sfidat e shoqërisë tuniziane. Ai theksoi se Shqipëria dhe të gjithë vendet anëtare të Këshillit të Europës mbështesin fuqimisht një Tunizi demokratike dhe moderne, duke ruajtur njëkohësisht identitetin e saj në familjen e madhe të kombeve.
Nga ana e tij, Kryeministri Jebali vlerësoi si shumë të rëndësishme këtë vizitë të nivelit të lartë të Këshillit të Europës. Ai u ndal në sfidat e qeverisë tuniziane për krijimin e një shteti modern tunizian bazuar në vlerat demokratike, ekzistencën e institucioneve të pavarura dhe respektimin e të drejtave të njeriut. Ai kërkoi me këtë rast asistencën e strukturave të Këshillit të Europës për të konsoliduar shtetin e së drejtës, institucionet demokratike, mbrojtjen e të drejtave të njeriut, forcuar rolin e shoqërisë civile etj.
Në takimin me Presidentin tunizian, z. Moncef Marzouki, Ministri Panariti konfirmoi mbështetjen që Këshilli i Europës dhe 47 vendet anëtare të tij i japin zhvillimeve demokratike në Tunizi. Ai tha se e gjithë bota demokratike i ka sytë tek Tunizia e cila nisi valën e proceseve demokratike në Afrikën Veriore të cilat rrëzuan regjimet totalitare në këto vende. Më tej, Ministri Panariti theksoi se Këshilli i Europës i kushton një rëndësi të veçantë mbrojtjes dhe respektimit të të drejtave dhe lirive themelore të njeriut ndaj shtroi nevojën që në kushtetutën e re tuniziane që është në procesin e hartimit ato të zënë një vend të veçantë.
Ministri Panariti tha se edhe Shqipëria, e cila ka pasur një të kaluar totalitare, ka ende sfida të mëdha përpara që lidhen me zhvillimin ekonomik të vendit, konsolidimin e shtetit të së drejtës dhe objektivin madhor, integrimin në Bashkimin Europian. Ai inkurajoi në emër të Komitetit të Ministrave të Këshillit të Europës që Tunizia të hartojë një kushtetutë demokratike dhe të realizojë zgjedhje të lira dhe të ndershme vitin e ardhshëm. “Ne dëshirojmë që Tunizia, ashtu siç nisi valën e ndryshimeve demokratike në Afrikën Veriore, të bëhet një model i demokracisë në rajon”.
Gjatë takimit me Ministrin e Jashtëm,  Rafik Ben Abdessalem, Ministri Panariti informoi për rezultatet e takimeve që kishte realizuar delegacioni i Këshillit të Europës gjatë vizitës së tij në Tunizi. Ai u ndal në domosdoshmërinë e aplikimit të standardeve demokratike në Tunizi bazuar në sugjerimet e Këshillit të Europës, ku një vend të veçantë zë zhvillimi i zgjedhjeve të lira dhe demokratike dhe hartimi i një kushtetute moderne. Më tej, ai iu referua zhvillimeve në rajonin e Lindjes së Mesme ku shprehu shqetësimin mbi dhunën e ushtruar në Siri, e cila ka sjellë si pasojë shumë viktima të pafajshme në radhët e popullit sirian.
Duke iu referuar marrëdhënieve dypalëshe, Ministri Panariti, theksoi interesin e qeverisë shqiptare për të bashkëpunuar me qeverinë demokratike tuniziane në fusha me interes reciprok. Gjithashtu, ai iu referua zhvillimeve pozitive në rajonin e Ballkanit Perëndimor, duke kërkuar me këtë rast njohjen e shtetit të Kosovës.
Nga ana e tij, Ministri tunizian ndau pikëpamje të përbashkëta me homologun shqiptar lidhur me nevojën e fuqizimit të marrëdhënieve dypalëshe dhe zhvillimet në rajonet respektive. Ai u shpreh se qeveria tuniziane është duke e vlerësuar me mjaft seriozitet çështjen njohjes së pavarësisë së Kosovës.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.