Françeska,si kanë qenë ofertat që ke marrë për punë pas daljes nga “Big Brother”?
Realisht kam pasur shumë oferta të mira nga njerëz seriozë dhe ndihem shumë mirë nga kjo pjesë. Kryesisht ofertat më të mira dhe më të paguara i kam pasur në Kosovë. Kam pasur oferta të shumëllojshme, sidomos në fushën e modelizmit, por ofertën time kryesore, atë që unë pretendoj për në televizion, nuk e kam marrë akoma.
Edhe ti si vajzat e tjera të BB, që kanë pretenduar televizionin…
Nuk jam si vajzat e tjera. Unë e meritoj, sepse kam qenë vetvetja (qesh).....
Çfarë do të doje të bëje në TV?
Kam qejf të jem moderatore, të prezantoj ndonjë emision rinor, por edhe në radio nuk do të ishte keq. Është një punë që mua më pëlqen ta bëj. Duke qenë se jam e vogël dhe sa kam hyrë në universitet nuk mund të pretendoj për ndonjë punë zyre apo diçka tjetër. Kjo është puna e vetme që unë mund të bëj.
Në Kosovë duket sikur të vlerësojnë më shumë. Cilat kanë qenë ofertat më të larta që të janë bërë?
Ofertat më të larta janë kur bëhesh imazh i një kompanie. Mua më është ofruar diçka e tillë këto ditë, ndaj do udhëtoj drejt Kosovës. Ndërsa sfilatat apo fotot kanë një çmim më të ulët se imazhi, po një çmim më të lartë sesa paguhesh këtu. Unë nuk paguhem jo vetëm si modele por edhe si personazh.
Si janë çmimet?
Në sfilatën e fundit që isha u pagova 400 euro për dy ditë me çdo gjë të përfshirë, vetëm për disa minuta punë. Ndërsa për imazh flitet për shuma që nuk janë poshtë 1000 eurove. Unë po e diskutoj këtë ofertë për një kompani që është në Kosovë dhe pse s’e kam ende të sigurt.
Në Shqipëri si kanë qenë ofertat?
E vetmja gjë që kam bërë këtu, ka qenë sfilata e “Geraldina Sposa”, ku jam paguar shumë mirë, kjo edhe si personazh. Në sfilatat e tjera nuk kam shkuar, sepse nuk mund të shkoj diku ku paguhesh 50 euro për sfilatë, apo ka vajza të tjera që shkojnë edhe pa lekë. Këtë punë e bëj për pasion, por edhe për të fituar lekë, pasi nuk kam mundësi të tjera.
Shumë vajzave të reja shpesh u bëhen oferta të pandershme, të themi…
Kjo është shumë e vërtetë. Është mjaft e vështirë të çash në këtë botë, si në modelizëm apo diçka. Nuk e di nga se vjen kjo. Ndoshta janë bërë meshkujt shumë feministë dhe duan gjithmonë të marrin diçka në këmbim edhe kur ti mund ta meritosh atë vend pune, apo atë mundësi për të pozuar apo sfiluar. Kam dëgjuar shumë raste të tilla, po personalisht nuk do ta bëja kurrë diçka të tillë. Atë që dua ta arrij, dua ta arrij me forcat e mia.
Është përpjekur dikush të përfitojë në këtë mënyrë nga ty?
Po, janë përpjekur, ndërsa në Kosovë, të them të drejtën, s’më ka ndodhur asgjë e tillë. Kam pasur oferta të ndryshme këtu në Shqipëri, që gjithmonë drejtoheshin diku tjetër, jo te puna. Kur diskutohet për punë, unë jam shumë e prerë dhe nuk bëj kompromise të tjera. Nuk më pëlqen kur për një punë merr oferta të tjera për darka apo për shoqërime të tepërta, që dihet se ku e kanë synimin.
Si ke reaguar?
Normalisht i kam refuzuar gjithmonë, sepse nuk më intereson kjo pjesë. Puna është punë, për mendimin tim.
Mendon se je aq e fortë sa për ta përballuar këtë presion?
Të them të drejtën këto kohët e fundit kam qenë shumë e zhgënjyer nga kjo pjesë, sepse po mundohem shumë për të gjetur një punë dhe njerëzit më shohin më shumë si femër të bukur sesa si një njeri të aftë për ta kryer atë punë. Kam qenë shumë e mërzitur, por fatmirësisht kam njerëz që më rrinë afër gjatë gjithë kohës, si familja ime. Ndonjëherë të jesh person publik nuk është aq e lehtë sa duket. Ndoshta edhe mosha ime më bën pak të fortë për ta përballuar, por po ia arrij me sukses.
Do të shkelje ndonjëherë mbi parimet e tua për një ofertë marramendëse?
Jo! Asnjëherë. Për mendimin tim, i bie të marrësh diçka në shkëmbim të vetes apo trupit tënd. Atëherë cila është diferenca me femrat që këtë gjë e kanë punë!
Ka njerëz të pasur që përpiqen ta blejnë bukurinë me lekët që kanë?
Ka plot raste që kam dëgjuar, por edhe që kanë tentuar me mua.
Momentet më të vështira për ty pas daljes nga Big Brother, cilat kanë qenë?
Pjesa që më nervozon më shumë janë gazetat. Janë lajmet e pavërteta që publikohen, të cilat lëndojnë mua dhe familjen time. Nuk e di nëse është një përpjekje për të më ulur imazhin, apo jam një personazh që shet gazetën. Është fakti që po kërkoj një punë stabël, të cilën ende nuk po e gjej. Normalisht ka qenë edhe ndarja me Ermalin moment i vështirë, që tani e kam superuar me sukses. Nuk ishte një ndarje që erdhi befas, por një ndarje që erdhi gradualisht. Kjo më bëri që ta harroja këtë pjesë.
Keni ngelur miq me Ermalin?
Nuk mund të them miq, sepse është shumë herët që të ngelemi miq.
A urreheni, apo ka ngelur respekt mes jush?
Nuk mund të them që urrehemi, sepse unë jam tip që fal dhe e justifikoj atë shumë mirë. Dihet që një lidhje që lind në “Big Brother” jo gjithmonë vazhdon.
E ke pasur frikë këtë kur u lidhe?
Të them të drejtën, po. E kam pasur frikë gjithë kohën. Duke qenë se unë me Ermalin edhe brenda, po edhe jashtë që u lidhëm më tepër; unë shkoja në shtëpinë e Ermalit, rrija, flija aty… Nuk e prisja, pasi mendoja se ishte një lidhje serioze. Megjithatë, dihet që një edicion i tillë është shumë i gjykuar dhe ajo që gjykohet më shumë është femra. Unë kam qenë ajo e gjykuara në këtë mes dhe ndoshta kanë arritur të prishin punë edhe fjalët e njerëzve dhe të gjitha këto së bashku.
Si i kishe raportet me prindërit e Ermalit?
Kisha kontakte shumë të mira, të cilat nuk i ruaj më. Nëse do t’i ndesh, sigurisht që do i përshëndes me respektin më të madh.
Të kishin qejf?
Ata më kanë respektuar si të dashurën e djalit të tyre, madje mund të them që më kanë ofruar një mbështetje edhe më të madhe sesa kjo.
Tani je për t’u nisur për në Kosovë?
Po. Shyqyr zotit po më ecën shumë mirë në Kosovë. Nuk e kuptoj as vetë (qesh). Më pëlqen Kosova dhe njerëzit atje, sepse nuk janë aspak përfitues. Të shohin vetëm për punën që ti do bësh. Nuk më ka ndodhur asnjëherë asgjë e keqe në Kosovë dhe shkoj aty me besimin më të madh. Pagesa është shumë e mirë dhe derisa i kam këto mundësi po i shfrytëzoj. Bukuria sot është nesër jo. Nuk do jem kështu siç jam.
The më parë që doje të pozoje për Fadil Berishën?
Po. Kjo është dëshira ime dhe shpresoj të më realizohet. Normalisht është diçka që çdo fotomodele e ëndërron të pozojë për Fadil Berishën. Shpresoj që t’i kem disa foto me Fadilin dhe pastaj t’i publikoj te gazeta juaj (qesh).
Nëse ofertat në Shqipëri nuk do të jenë ato të priturat, a do ta provoje fatin jashtë Shqipërisë?
Po. Patjetër që po. Modelizimi në Shqipëri nuk paguhet. Nuk ke shumë mundësi për të ecur përpara. Kjo pyetje më është bërë dhe në Kosovë, nëse do të kisha ofertë në ndonjë televizion atje; gjithmonë kam thënë po. Do ta provoja.
Në Kosovë nuk ke marrë ndonjë ofertë?
Jo. Akoma jo. Sa herë kam shkuar në Kosovë, kam mbaruar punë dhe nuk kam ndenjur gjatë. Këtë herë që do shkoj do rri nja dy ditë më tepër (qesh).
Na thuaj një sekret që nuk e ke thënë më parë…
Nuk kam. Jam e sinqertë dhe i them të gjitha (qesh). Do ta marr burrin nga Kosova (qesh). Jam beqare dhe kam humbur dy kile.
Mendon të rilidhesh së shpejti?
Nuk e kam ndërmend fare. Normalisht jam për lidhjet serioze, jo të martohem apo diçka e tillë. Thjesht dua siguri dhe nuk kam më nevojë për aventura në jetën time. Ka kaluar shumë pak kohë që unë jam ndarë nga Ermali dhe nuk e gjej dot njeriun e duhur. Ndoshta jam unë akoma e lënduar apo e zhgënjyer nga meshkujt. Nuk e di. Nuk ndihem gati për një lidhje. Nuk e përballoj dot. Jam gjithë kohën në lëvizje, por jam edhe shumë besnike. Nëse lidhem me dikë, do heq dorë nga gjithë gjërat e tjera.
Je xheloze?
Më ka dalë pak nami, por edhe jam ca (qesh). Nëse do kisha një njeri që i përket botës së artit, do isha shumë xheloze, sepse e di që do jetë në kontakt të vazhdueshëm me femrat. Nuk më pëlqen kjo gjë. Dua një njeri të thjeshtë, jo të famshëm.
Je vërtet e zhgënjyer nga lidhja me Ermalin?
Jam e zhgënjyer, sepse dhashë shumë nga vetja. Ndoshta nuk mora aq sa meritoja. Normalisht përfundimi i çdo lidhjeje ka një fazë zhgënjimi dhe do kohën e vet për të kaluar. Unë dhashë maksimumin dhe nuk e kuptova përse erdhi ndarja, nuk di si të sillem më në një lidhje tjetër. Derisa të jem e sigurt dhe e qartë me veten, nuk do krijoj një lidhje të re.
0 commenti:
Posta un commento