PS i bën thirrje Komisionit Qendror të Zgjedhjeve të mos humbasë kohë, por të nisë sa më parë punën për të mos rrezikuar aplikimin për herë të parë të teknologjisë në zgjedhjet e 2013-tës.
Eksperti i Partisë Socialiste, Bledar Çuçi, teksa vëren vonesën në konstituimin e tij, thotë se mungesa e eksperiencës së disa prej anëtarëve të këtij intitucioni, por edhe dy risitë, ajo e numërimit elektronik të votave dhe identifikimi i pjesshëm elektronik i votuesve e kthejnë në domosdoshmëri nisjen sa më parë të punës.
Duke nënvizuar se dhjetori i 2012-tës është afati maksimal për dekretimin e datës së zgjedhjeve, eksperti i PS-së inkurajon Presidentin Bujar Nishani të mos presë deri në limitet e fundit kohore, por të përcaktojë sa më parë datën e zgjedhjeve.
Kodi Zgjedhor parashikon disa etapa për masat që KQZ-ja duhet të ndërmarrë për realizimin e teknologjisë së re informative në zgjedhjet për Kuvendin të vitit 2013. Neni 105 i kodit përcakonte se "Jo më vonë se 30 ditë nga hyrja në fuqi e këtij ligji, KQZ-ja fillon përgatitjen e projektit për ngritjen e sistemit të verifikimit dhe regjistrimit të zgjedhësve (SEV) dhe sistemit elektronik të numërimit (SEN).
Share
& Comment
Tweet