Një femër e plotësuar, elegante, sharmante dhe me një botë shpirtëore shumë të pasur. Gazetarja Sonila Meço vjen në një rrëfim të ndjerë për suplementin “THASH&THEM” duke zbuluar me finesë dhe ndjeshmëri pjesën jashtë ekranit atë të të qënurit thjesht “Sonila”. Në çdo rresht të këtij rrëfimi moderatorja e ABC news shpreh madhështinë e të qënurit nënë si dhe impenjimin për të qenë e përkryer në formimin e një qenie të brishtë e cila varet tërësisht në kujdesin e saj. Një vit pas lindjes së Amaris, Meço tregon “çapkënllëqet” e saj, dëshirat, dhe lodrat e preferuara të vogëlushes. Gjithashtu nuk lë pa përmendur edhe raportin me bashkëshortin e saj Drinin.
Sa ka ndryshuar jeta juaj, që kur jeni bërë nënë?
Mëmësia më ka ‘tokëzuar’, ndryshe nga shpërndarja e pazakontë para ardhjes së Amarisit kam mësuar si të fokusohem tek gjërat bazike, si të vendos rregullin ‘të parat të parat’. Pas trazimit të fillimit, nuk ke kohë të ‘mahnitesh’ me shqisat që të shumfishohen, pagjumësinë që shndërrohet në rregull dhe pushimin në përjashtim, duhet reagim. Nisa t’i njoh vetes aftësi të reja, fuqi dhe energji që nuk di nga gjenin portën prej trupit të lodhur, ca frikëra që as në makthin më të keq në ëndrra nuk do t’i kishe përjetuar. Por ajo bashkëjetesë me kaosin e fillimit zë e bëhet më e përballueshme pasi mbledh një herë e mirë mendjen se, 40 vitet e para të prindërimit janë më të vështirat (qesh).
Cilat janë përparësitë dhe disfavoret në këtë drejtim?
Një mami mund të shkruajë një autobiografi e kurrë mos t’a përmendë veten në të, sepse e gjithë bota, çdo ngasje, tundim, emocion e përjetim nis e vërtitet rreth ëngjëllit të vet. Ende pa lindur, mëmësinë e kam konceptuar hollë-hollë në dhënien jetë të një qënieje që mbart genet e tua. Nuk krijoja dot idenë mbi shtresat e tëra të kuptimit të këtij angazhimi, të të qenurit mami. E pamundur të gjesh sot një grua, me një bebe disa muajshe, që në një gdhirje rutinë, atëherë kur ka nisur të shquhet vija e horizontit përtej qelqit të dritares të mos i ketë dhënë të drejtë të paktën një herë nënës së vet në shprehjen çarmatosëse “do bëhesh nënë vetë e do më kuptosh”. Atëherë do të të duket gdhirja e gjatë, e pafundme, do përgjosh mbi shtratin e bebit tënd zgjimin për ta përqafuar e rrokur me aq dashuri e për të klithur fort: Po mam po, u bëra nënë vetë e po e provoj, po guxoj të jem në dy vende njëherësh, të plandosem mbi dysheme për orë të tëra që t’i rrëmbej një buzëqeshje të mirës sime, t’a përze gjumin deri sa të ketë hyrë e paqtë në ëndrra e vogla ime, të bëhem pis teksa e ushqej e me paparën e saj ndër flokë të nisem për punë, të gjitha t’i bëj veç mos të humbas momente për të cilat do ndihem keq më vonë. Mos më pyet për disavantazhet paskëndaj (qesh).
Bëheshit nervoz kur zgjoheshit natën pa orar për ta ushqyer?
Fillimi ngjan me pasojat e një bombe që t’a kanë vendosur në shtëpi, librat të kërkojnë të jesh e qetë, por unë më së shumti e kam kapur veten mat në tension të fortë, shpesh e lodhur, me kokën që më varej supit në kërkim të ca minutave të bekuara për gjumë, madje dremisnim bashkë, ajo në gjirin tim e unë mbështetur kryes së shtratit. Por kur ajo gjente vrrullshëm rrugën e qumështit dhe kridhej në paqe sakaq, unë nuk mund t’i isha më shumë mirënjohëse perëndisë.
Sa e mbarë ka qenë Amaris në vitin e parë të lindjes?
E qetë, herë herë trazuar nga kicat që po rezistojnë gjatë për t’ja behur. Por qesh shumë, me gjithçka. E ngacmojnë shumë fytyrat e njerëzve që i kundron për minuta, të ngul shikimin dhe mëson tiparet. Një nga urimet që kam për zemër është zoti e bekoftë me dëshirën e kureshtisë.
Po tani që është disi më e rritur?
E them gjithnjë, Amaris një dashuri, ndjej një pickim konstant në stomak, si ato të dashuriçkave të para të adoleshencës, frymëmarrja prej kohësh nuk është e rregullt, më ngjan se çdo veprim, reagim, lëvizje e saj është gjeniale. Po mëson të ecë, mban vetë një lugë, gush pupacët e preferuar, kërcen sapo dëgjon muzikë, di të dallojë meloditë që vijnë prej lodrave të ndryshme, por kënaqësia e saj më e madhe është të bëjë potere, të ‘qarkullojë’ duke marrë përpara çdo gjë me rrëthore, të ndjekë topa e tullumbace gjer në sfilitje, të rrëzojë send.Thonë se mamatë e mira kanë dysheme që ngjisin, enë të ndotura, por fëmijë të lumtur. Dhe mua më ngjan e lumtur, pavarësisht se nuk gjejmë gjurmë të apartamentit të dikurshëm, (qesh).
Kanë kaluar disa muaj që nga lindja e vajzës, do kishe dashur të provoje përsëri një shtatzani të dytë?
Kur vendosëm të bindur me Drinin të sjellim Amarisin në jetë, nuk mendoja ç’vinte pas, çfarë çmimi do paguaja në profesion, si do t’ja dilja pa delikatesat vanitoze të jetës prej personi publik, për të mos folur për dilemat që zënë e ngrenë krye sapo nis e merresh me arredimin e dhomës së saj, palosjen në sirtarë të rrobave, blerjet e paqarta të pompave te gjirit e sterilizueve që nuk di pse dhe manualet u ngjanë tejet të vështirë ato ditë. Mandej ankthet do jem apo jo nënë e mirë, do di ta mbaj në dorë, t’i ndërroj pampersin e t’i mbath body-n në atë trupthin e njomë. Tani po kuptoj dhe vetë nga pak se nuk mund të jem ajo mamaja e përsosur që do doja të isha, nuk mund të jem gjithnjë aty ku dua të jem, por di se askush nuk mund t’a njoh të voglën time më mirë se unë, e unë jam njeriu për të cilën ka më shumë nevojë. Ajo është ende e vogël e mendoj ndoshta dhe gabim se nesër do jetë ajo që do jetë prej asaj që unë do bëj për të, kjo më bën kërkuese e ankthioze, të humbas shpesh disa kënaqësira të vogla me të, prej obsesionit tim për të. Prandaj nuk kam ende atë bindjen e verbër, që zvetnon çdo pasiguri për të sjellë një tjetër fëmijë në jetë, e pra s’duhet të jetë momenti.
Të ka përmendur një fëmijë të dytë Drini?
Drini dhe unë e kemi zaptuar çdo hapësirë shpirtërore e kohore me të voglën tonë, fëmija i dytë është një koncept që sapo e përmendim kthejmë vrik kokën nga sho-shoqi si për t’i thënë: A nuk është Amarisi sa për dy? Sa për gjithë jetën?
Çdo njeri besoj i do fëmijët, po ju sa do kishit dashur të keni?
Nuk më kujtohet ç’mund t’i kem thënë vetes e miqve vite më parë, për momentin di se dua të gëzoj çdo fraksion kohe me Amarisin, të kem mundësinë t’i vjedh kohës kohë e vendit vend për t’a bërë atë dhe veten të lumtur.
Duke qenë se nga puna kohën e keni shumë të limituar, sa qejfe po i bëni vajzës?
Bëj jo pak, por më ndodh gjithnjë e më shumë një fenomen, sapo shoh një foto të saj, të shkrepur nga unë ose jo, ndodh që nuk mbaj mend shumë prej atij momenti, klithmën e saj, ojnat gazmore, si hëngri, çfarë bisedonim me Drinin ndërkohë, e gjej veten në nxitim dhe do kisha dashur të qëndroja më gjatë për të kujtuar më shumë e të mos ishin fotot ato që më shkundnin idenë se duhet të jetojë më shumë momentin me të, pa nxitim e ngut, pa presion, të bëjmë më shumë gjëra bashkë megjithëse jo perfekt. Ta ushqej, laj, loz me të, t’i lexoj, t’a vë në gjumë, por nuk do mjaftonte e di, sepse të jesh mami nuk mjafton…
Dilni gjatë fundjavave jashtë Tiranës?
Dalim shpesh, Amaris po rritet dhe kjo e bën gjithnjë e më të rënduar bagazhin e makinës (qesh).
Çfarë temperamenti ka Amaris, cilat janë dëshirat e saj të para?
“Lepurushi rozë”, “Ëinni the Pooh”, “Topi kaltërosh” dhe libri me guidë një nusepashkë, këto janë përzgjedhjet e Amarisit nga kutia e saj e lodrave, mandej lulet e diellit në syprinën e dollapit të saj, vajza me lule mbi shtrat, vajza me flutur mbi këndin e veshjes dhe një foto gjigande e saj në sheshpushimin e shkallëve së cilës i kthen buzëqeshjen vesh më vesh.
Do kishit qenë në gjendje që për hir të vajzës ta lini karrierën?
Nuk është e vështirë ta shquash shkëlqimin e syve teksa i jepem punës, puna është një dashuri e madhe imja, e dua, e respektoj, i jepem me shpirt. E kam thënë, e përsëris pa u lodhur, kur mbetesh shtatzënë pyet veten nëse për këtë do paguash edhe një çmim profesional. Jo se druhesh se nuk do të kthehesh më, porse kur të kthehesh gjërat nuk do jenë si më parë, të tjerët janë mësuar pa ty. A ka logjikë një drojë e tillë? Kush si unë e ngjit me thonj atë shkallare profesionale e di se për çfarë po flas. Pas një muaji e gjysmë jam rikthyer në punë, pavarësisht se do të kisha dashur të qëndroja dhe pak më shumë me Amarisin në një angazhim “full time” me të. Por teksa e diskutoja dhe me Drinin kuptoja se në çdo kohë që do të ndodhte kjo shkëputje, unë do kisha kërkuar edhe pak më shumë kohë. Andaj u riktheva kur e ndjeva që çdo gjë ishte nën kontroll e Amarist nuk do t’i mungonte dashuria, përkujdesja, qumështi dhe përkëdheljet edhe në mungesën time.
A jeni natyrë xheloze?
E dua bashkëshortin tim, e dua fort dhe nuk do lejoja askënd e asgjë të zhbëjë këtë paqe e harmoni që e kemi ndërtuar çdo ditë nga pak. Xhelozia shpesh është një simptomë pasigurie, gati neurotike, më shumë e atashuar me dashurinë për veten se atë për tjetrin. Por nëse më duhet të mbroj hapësirën time të ndjenjave e afeksioneve le të më cilësojnë xheloze, gjithsesi në mendje nuk kam fijen e flokut të gjatë në xhaketën e Drinit, por atë shtëpinë dykatëshe në Don Bosko ku më presin dashuritë e mia të mëdha.
Po ai tek ju?
Më përkëdhel ideja se ai xhelozon bukur për gruan që ka në krah…
Ka pasur ndonjë rast kur jeni grindur shkak i xhelozisë?
Po ju citoj çfarë kam pohuar disa javë pas lindjes, përjetimi qe i freskët e nuk dua t’ja holloj ndjesitë me kujtesën që dhe më tradhëton: Kur u kthyem nga materniteti në shtëpi kemi kuptuar sa kishin ndryshuar ekulibrat, nevoja e secilit për konfort, dashuri, mbëshetje. Thuajse çdo orë i kërkoja Drinit të më siguronte se na donte shumë dhe do të ishte gjithnjë aty për ne. Kemi diskutuar shumë, edhe jemi grindur, por më shumë kemi përqafuar njëri-tjetrin si kurrë më parë.
Çfarë nuk dëshiron Drini që ju të bëni?
Të obsesionohem pas idesë se duhet të jem e përsosur në gjithçka, të heq dorë nga mania e të qënit supergrua dhe t’i përjetoj kufizimet e mia me tjetër qetësi e maturi.
Një mesazh për fund?
Për disa ditë ka qënë statusi im në Facebook, miqtë që më njohin mirë ma njohin ‘intrigën’ në përzgjedhjen e fjalëve të Salvador Dali, ata që më njohin më pak mund t’a shijojnë edhe më shumë, sepse më shumë se për Sonilën, kjo vlen për çdo person që i nënshtrohet gjykimit aq shumë të dëshiruar prej gjithkujt për gjithkënd: “Çdo mëngjes kur zgjohem, përjetoj të njëjtën kënaqësi, atë të të qënurit Sonila”.
Share
& Comment
Tweet