Amaneti i Rovena Stefes (Video)


Këngëtaren e njohur, Rovena Stefa, e takuam në Prishtinë, ndërsa ishte duke marrë komplimente  të shumta nga miq dhe artistë për videoklipin dhe këngën e saj më të re ‘Amaneti’, këngë kjo në duet me Sala Jasharin.

Këngëtarja Stefa na tregoi idenë e kësaj kënge të bukur, por njëkohësisht përgëzonte edhe artistë të  tjerë që në prag të 100-vjetorit të Pavarësisë së Shqipërisë kanë krijuar këngë të tilla, por mesazhi i këngës së saj është më i veçantë. Cili është ai, ndiqni këtë intervistë ekskluzive  për gazetën tonë.




“Kosova Sot”: Rovena, sapo ke sjellë këngën “Amaneti”, pse kjo ide, e cila shihet që ka marrë pëlqimet e para?

Rovena Stefa: Së pari faleminderit për intervistën! Para pak kohësh jemi njohur nga afër me familjen e Salës, e cila ishte adhuruese e këngës sime dhe kështu vendosëm të bëjmë një bashkëpunim në kuadër të 100-vjetorit të Pavarësisë. E menduam gjatë idenë e këngës dhe dhashë gjithë përkushtimin tim kur e kompozova atë. Familja e Salës e përkrahu idenë dhe kështu çdo gjë ishte gati për të vazhduar. I falënderoj nga zemra të gjithë bashkëpunëtorët e këtij projekti të madh e tepër të rëndësishëm për shqiptarët kudo që janë.

“Kosova Sot”:  E cili është “Amaneti” i Rovenës?
Rovena Stefa: Amaneti im është amaneti i të parëve tanë, ai i bashkimit kombëtar, ëndrra shekullore e shqiptarëve për të qenë së bashku nën një shtet, nën një flamur.

“Kosova Sot”:  Keni dëgjuar dhe parë edhe disa artistë të tjerë që kanë sjellë këngë patriotikë, si ju duken?
Rovena Stefa: I përgëzoj të gjithë ata që janë përpjekur të prodhojnë këngë me tematikë patriotike për nder të këtij 100-vjetori, ku si ide themelore e të cilave është gëzimi i këtij 100-vjetori, por unë në veçanti kam dashur të jap një mesazh pak më të veçantë; një kujtesë që në këtë vit jubilar të gjithë shqiptarët të angazhohen për bashkim kombëtar. Ky mesazh vjen në formë paqësore, sepse ky është qëllimi i artit.

“Kosova Sot”:  Shikohet që videoklipi është për pak ditë shumë i komentuar dhe i shikuar, a do t’ia arrijë klikimeve super të diskutuara të këngës “Malli”?
Rovena Stefa: Uroj që t'i kalojë ato shikime për vetë  vlerën që mbart si këngë.

“Kosova Sot”:  Artistët po të marrin shembull për të mësuar pak më shumë për menaxhimin në kanalin ‘Youtube’, ti mendon se aty mund të ketë edhe klikime false?

Rovena Stefa: Është hedhur shumë baltë mbi shikimet në ‘Youtube’. Fakt është që shikimet janë reale, sidomos videot që kanë shumë shikime, sepse këngëtarët e popullit nuk kanë nevojë të blejnë. Populli i shikon dhe i ndjek gjithmonë. Por është për të ardhur keq që "artistët" që s'kanë klikime akuzojnë ata të cilët me meritë i marrin klikimet. Është turp që këta pseudoartistë nuk e kanë forcën ta pranojnë suksesin e të tjerëve. Pas kalit që vrapon, ngrihet gjithmonë pluhur!

“Kosova Sot”:  A do të pëlqente që kjo këngë e sapopublikuar në të ardhmen të bëhet një himn i shqiptarëve?
Rovena Stefa: Patjetër që po, e ka tekstin dhe melodinë e një himni. Kryesorja është të kuptohet mesazhi i dashurisë dhe paqes që duhet të mbizotërojë midis të gjithë shqiptarëve kudo që janë.

“Kosova Sot”:  Ku do të jesh për 100-vjetorin e Pavarësisë së Shqipërisë?
Rovena Stefa: Në Tiranë dhe Vlorë, aty ku do të festojnë të gjithë shqiptarët.
Intervistoi: M. Gjokaj

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.