Uragani “Sandy”, Obama: Merreni seriozisht


Presidenti Barack Obama ka paralajmëruar amerikanët ta marrin seriozisht uraganin “Sandy” ndërsa autoritetet janë përgatitur për më të keqen.  Pjesa lindore e Shteteve të Bashkuara po përgatitet për atë që meteorologët e parashikojnë të jetë  stuhia më e rëndë që godet këtë pjesë të vendit.
“Ne në të gjithë vendin jemi të shqetësuar rreth ndikimit të mundshëm të uraganit Sandy. Kjo është një stuhi e madhe dhe serioze dhe mesazhi im i parë për të gjithë njerëzit në bregdetin lindor, në Atlantikun e Mesëm e duke shkuar ka Veriu, është që ta marrin stuhinë me seriozitet dhe të ndjekin udhëzimet e zyrtarëve shtetërorë dhe lokalë, sepse ata do të ofrojnë këshillat më të mira në lidhje me përballjen e stuhisë në ditët e ardhshme” tha ai.
Qindra mijëra njerëz janë evakuar nga bregu lindor i Shteteve të Bashkuara.  Uragani i kategorisë  së parë me erëra të fuqishme  pritet të kombinohet me një stuhi dimri, që vjen nga drejtimi i perëndimit, ndërsa ajri i ftohtë nga Arktiku.
Deri në 60 milionë njerëz mund të preken nga stuhia dhe tashmë është shpallur gjendje e jashtëzakonshme  në Karolinën e Veriut dhe në Konektikat. Më shumë se 300 mijë njerëz janë evakuuar nga pjesët e poshtme të Nju Jorkut. Qyteti ka ndërprerë shërbimin e transportit nëntokësor, si dhe Filadelfia. Shërbimet hekururdhore janë ndërprerë në të gjithë bregun lindor.
Mijëra fluturime vendore dhe ndërkombëtare për në SHBA-së lindore dhe jashtë saj, janë anuluar. Sandy po udhëton në veri nga Karaibet, kur ka lënë të vdekur të paktën 66 njerëz, përfshirë 51 në Haiti, shumica nga ta si pasojë e vërshimeve dhe rrëshqitjes së dheut.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.