Lëvizja Socialiste për Integrim shpall emrat më të votuar që do të jenë pjesë e Komitetit Drejtues Kombëtar të kësaj partie. Në më pak se 24 orë nga mbyllja e votimeve, LSI bëri publike listën e gjatë të emrave, në të cilën nuk mungonin dhe emrat më të spikatur të LSI-së, si Ilir Meta, Edmond Haxhinasto, Edmond Panariti, Erisa Xhixho, Ilir Dashi, Luan Rama, Nora Malaj, Pëllumb Pipero, Petrit Vasili, Shezai Rrokaj, Viron Bezhani.
Risija e këtij votimi ishte aplikimi i votimit elektronik, ku Lëvizja Socialiste për Integrim u bë partia e parë që theu akullin në këtë drejtim dhe sipas organizatorëve dhe Komisionit Qëndror të Konventës Kombëtare Zgjedhore të LSI-së një votim i tillë rezultoi me sukses.
Gjatë një prononcimi që dha për mediat, edhe kryetari Meta vlerësoi votimin elektronik të aplikuar në këtë konventë. “Unë shpresoj, -tha Meta, -që standardi elektronik i numërimit fillimisht të zbatohet në Qarkun e Fierit në zgjedhjet e vitit 2013 dhe më pas në të gjithë vendin”.
Duke u ndalur në koalicionin e LSI-së me partitë e tjera, kreu i Lëvizjes Socialiste për Integrim theksoi se “koalicionet nuk janë procese që paravendosen, por ato ndërtohen mbi bazën e bashkëpunimeve dhe diskutimeve me bazë të gjerë, me objektiv për t`i shërbyer integrimit të vendit në BE”.
Share
& Comment
Tweet