E ndërsa më 5 nëntor pritet takimi me Presidentit të Republikës Bujar Nishani me përfaqësues të partive parlamentare për caktimin e datës së zgjedhjeve, ku referuar kodit zgjedhor do të jetë një zgjedhje mes datës 23 dhe 30 qershor, politologu Afrim Krasniqi sheh si zgjedhje më të mirë pikërisht alternativën e parë. Për RTV Ora News me drejtorin e informacionit Patrik Sadikaj, Krasniqi vlerësoi si më të pranueshme datën 23, pasi sipas tij nëse do zgjidhej data 30 qershor kjo përkon me nisjen e sezonit të pushimeve, cfarë do të vështirësonte asistimin e të huajve në këtë proces. Ndërkaq Krasniqi ka shprehur rezerva lidhur me ftesën e Presidentit, pasi sipas tij duhet të kishte më tepër gjithëpërfshirje edhe për subjektet e reja partiake dhe pse jo në parlament, duke ju referuar këtu partive të reja si FRD dhe AK.
“Në aspektin kushtetues, Presidenti është korrekt, thirrja është brenda afatit të përcaktuar me ligj. Zgjedhjet do jenë ose me 23 ose 30 qershor të vitit të ardhshëm. Ajo që vumë re është se nuk janë ftuar të gjithë aktorët politikë, kjo hedh dyshime, edhe mbi punën e Presidentit, do të ishte një lloj incidenti jo i këndshëm. Nuk pres që tryeza të ketë ndonjë mesazh të rëndësishëm politik, por me rëndësi është që nuk duhet humbur me administrimin zgjedhor, pasi në kodin zgjedhor ka afate strikte, aq më tepër kur në Fier do të përdoret votimi elektronik. Dëshiroj shumë që kryetema të jetë mbi alternativat, jo mbi kleckat. Data është e parëndësishme, por data më e mirë do ishte 23 qershori, pasi 30-ta do të shënonte fillimin e pushimeve dhe në këtë mënyrë do të kishim një mungesë të asistencës së huaj në këto zgjedhje” deklaroi Krasniqi.
Një fushatë të ashpër zgjedhore, por edhe me risi politike parashikon politologu Krasniqi. Sipas tij në këto zgjedhjeve nuk jemi më në fazën e pritshmërisë për ndarje të tortës elektorale mes dy demave tradicionalë, por parashikon katër fronte në betejë, duke iu referuar këtu LSI dhe FRD-së. Në këtë kontekst ai e konnsideron një sukses të madh per vendin, nëse pikërisht subjektet e reja politike të mund të thyenin 71 e parlamentit në 2013.
“Po shkojmë në një proces me risi politike. PD-PS janë të përafërta nga përmbajtja elektorale. Është hera e parë që një mazhorancë paraqitet me ofertën na zgjidhni si të keqën më të vogël. Të dy partitë po përpiqen të ruajnë një staturë pushteti në marrëveshje të fshehta me njëra-tjetërn. Nga ana tjetër kemi aktorë të rinj politikë. Në kushtet e Shqipërisë mund të ndodhë që aktorët e rinj të jenë përcaktues në krijimin e maszhorancës në vend, ata e premtojnë këtë gjë dhe në muajt e ardhshëm do të kemi edhe lëvizje të reja. Fryma e re politike mund të sjellë ndryshimin e madh në 2013. Mund të ketë katër koalicione. Fakti se po shkojmë në 2013 dhe aktorët e vjetër s`po arrijnë dot të dalin pa koalicion tregon se e kanë humbur sundimin, por nga ana tjetër janë shumë të lidhur pas pushtetit dhe përpiqen ta sigurojnë me cdo mjet. Sot s`është më cudi që të themi se PD-PS qeverisin vendin bashkarisht, pasi mbajnë firmën e përbashkët me marrëveshje publike apo të fshtehta për të gjitha zhvillimet dhe fatet e vendit. Është një sfidë e madhe, vetë sistemi e mundëson dicka të tillë përmes grackave të tij. Nga ana tjetër FRD dhe AK si parti të reja po tregojnë se kanë mbështetje të madhe në qarqet kryesore. Do ti bëhej një shërbim i madh Shqipërisë nëse këto forca do të mund të thyenin 71-shin e parlamentit” u shpreh ai.
Duke mbetur tek partia e ish Presidentit të Republikës, Bamir Topi, Krasniqi e sheh si një forcë politike konkuruese dhe rivale të fortë, për vetë atë cfarë ofron si program, ashtu dhe nga burimet njerëzore që drejtohet, duke nënvizuar freskinë e moshës, të qënurit jashtë skandaleve financiare dhe mos të qënit pjesë e pazareve të pushtetit dhe karrigeve. Nga ana tjetër ai vlerëson edhe qëndrimin e shprehur që në gjenezë të FRD për të mos qënë pjesë e koalicioneve paterica dhe shpreson se këtë politikë parimore do ta ruajnë edhe në fazën postzgjedhore. Sipas tij metoda përça-sundo ka qenë praktikë e tranzicionit dhe kjo politikë duhet të marrë fund dhe po sipas tij FRD është një shans i madh për të përfaqësuar njërëz të lidhur tradicionalisht me djathtën.
Lidhur me statusin e vendit kandidat dhe përmbushjen e 3 kushteve Krasniqi vlerëson se prioritetet duhet të ishin realizuar me kohë, megjithatë treshen e mbetur e konsideron të mundshme për realizim para dhjetorit. Kushtëzimi i tyre me qarkun e Fierit per Krasniqin eshte e palogjikshme dhe politike, ndërsa shton se Këshilli do të mund të merrte zgjidhje fare mirë përmes gjykatës ose vullnetit politik mes palëve.
“Vendimi i BE për statusin ishte një vendim kritik, ne do duhet ti kishim plotësuar ato kushte në kohë. 3 kushtet për në dhjetor janë terësisht të realizueshme, janë më tepër teknike. Lidhja e tyre me Fierin s`ka logjikë, është përpjekje e një pale për të manipuluar. Është një sjellje e papërgjegjshme, por gjithshka është e zgjidhshme qoftë përmes Gjykatës ashtu dhe me një vullnet politik. Po shohim skena të papërmbajtëshme të politikanëve, po përdorin cdo mjedis për mesazh elektoral. Janë disa hapa negativë, produkti i KQZ është një mision dypartiak. Shohim policinë, si në rastin e ish të përndjekurve që u bë pjesë e retorikës politike. Apo rasti ndërhyrjes së qeverisë në pushtetin vendor, po ashtu qëndrimi përballë grevës së ish të përndjekurve politikë. Mazhoranca po përcjell mesazh force të panevojshëm për vendin, kemi nevojë për dialog dhe një votim normal” deklaroi në Ora News Afrim Krasniqi.
Share
& Comment
Tweet