Gordon: Politika shqiptare të bashkëpunojë për reformat

Pas sekretares amerikane të shtetit Hilari Klinton, tani është ndihmës sekretari amerikan i Shtetit për Evropën dhe Euroazinë Philip Gordon  që i bën thirrje klasës politike  të bashkëpunojnë pavarësisht nga përkatësia partiake dhe të marrin hapa të shpejtë për të miratuar reformat e kërkuara nga Bashkimi Evropian.

Gjatë një konference për shtyp  në organizatën e Atlantikut verior, Gordon   duke iu referuar vizitës së Sekretares Clinton në Shqipëri,   tha se ajo erdhi në një moment të rëndësishëm të historisë së Shqipërisë, në 100 vjetorin e pavarësisë.

“Për shumë vjet Shqipëria ishte vendi më i izoluar i Evropës, nën një diktaturë shtypëse. Gjatë dy dekadave të fundit ka punuar për të forcuar demokracinë dhe reformojë ekonominë. Zonja Clinton e bëri të qartë se Shqipëria është në një udhëkryq kritik, ndërsa e vuri theksin tek nevoja për zgjedhje të lira, të drejta dhe transparente në zgjedhjet e vitit 2013. Udhëheqësit e Shqipërisë duhet të zgjedhin rrugën e konsolidimit të arritjeve të deritanishme duke miratuar reforma në drejtësi dhe administratë dhe të rishikojnë rregullat procedurale të parlamentit. Qeveria duhet gjithashtu të shtojë përpjekjet për të luftuar korrupsionin dhe krimin e organizuar” theksoi Gordon.

Sipas sekretarit amerikan të  Shtetit për Evropën dhe Euroazinë  pavarësisht vështirësive ekonomike apo sfidave globale SHBA-të do të mbështesin Ballkanin.

Gordon vlerësoi faktin që Kosova dhe Serbia po mbajnë bisedime të nivelit të lartë, ndërsa theksoi se Shtetet e Bashkuara mbështesin me forcë sovranitetin dhe tërësinë territoriale të Kosovës.

” As ne, as Bashkimi Evropian nuk presim që Serbia ta njohë Kosovën për momentin, por Serbisë do t’i duhet të normalizojë marrëdhëniet me një Kosovë demokratike, sovrane, të pavarur dhe shumëetnike brenda kufijve aktualë. Ndarja nuk është alternativë”.

Ai tha se Beogradi duhet të heqë strukturat paralele në veri, ndërsa Kosova duhet të vazhdojë të punojë  për reformat. Gordon theksoi se ngadalësimi ekonomik në Evropë mund të kishte qenë një shans për udhëheqësit e Ballkanit që të përqendroheshin tek sfidat e brendshme, ndërsa është shprehur i  shqetësuar  për retorikën  nacionaliste dhe rilindjen e shovinizmit si mënyrë për të tërhequr mbështetës.

Share

& Comment

0 commenti:

Posta un commento

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.