Endacaku djeg banesën, gjen një tjetër strehë, burgun


Pogradec-  Askush nuk e di saktësisht sa është numri i endacakëve të mbetur pa shtëpi, pa familje dhe përkrahje që enden netëve nga një vend në vendin tjetër në përpjekje  për të gjetur një strehë, pak bukë, një këmishë e një palë këpucë të vjetra, me shpresën për t’i shpëtuar vdekjes dhe sëmundjeve që i ndjek hap pas hapi, me shiut, të ftohtit, vetmisë e trishtimit.

Si gjithë njerëzit e pashpresë, ata janë gjithnjë duke ëndërruar se një ditë do të jetë dikush që do t’i ndihmojë.

 Një endacak i tillë, mes shpresës dhe dëshpërimit, që ishte nisur nga Gjirokastra e që kishte udhëtuar nga një fshat te tjetri, nga një qytet te një tjetër, ishte shfaqur në fshatin Kriçkovë të Pogradecit për të lypur një kafshatë bukë e për të gjetur një strehë ku të kalonte natën, ashtu siç bëjnë edhe shumë të tjerë si ai, të cilët në çdo çast të ditës dhe jetës janë në kërkim të mbijetesës së tyre.  Në udhëtimin e përditshëm gjithnjë shpresojnë gjetjen e fatit.

 Sipas burimeve policore endacaku 63-vjeç Kujtim Nanxa, banues në Gjirokastër, pasi kishte mbërritur në fshatin Kriçkovë ishte sistemuar në një banesë të pabanueshme, ku brenda saj kishin mbetur sende dhe orendi të vjetra shtëpiake. Kishte ndezur zjarrin për t’u ngrohur dhe më pas e kishte zënë gjumi.

Befas në atë shtëpi të vjetër shpërthen zjarri. Endacaku do të mbetej mes tymit, pranë me vdekjen, por fatmirësisht do ta kuptonte se kishte qenë duke u djegur i gjallë ashtu si gjithë orenditë dhe sendet e vjetra që nuk vlenin për asgjë. Mësohet se kishte mundur të dilte jashtë e të shpëtonte jetën e tij që fatkeqësisht kur fshihet brenda një endacaku askush nuk e vë re se ajo vlen po aq sa edhe jeta e të tjerëve.

 Pas kësaj shtëpia do të digjej, por ai nuk do të largohej, me përpjekjet për të mos u kapur nga policia. Përkundrazi qëndroi aty për të pritur mbërritjen e uniformave blu. Nuk vonoi shumë dhe  specialistët e hetimit dhe parandalimit të krimit në komisariatin e policisë Korçë arrestuan endacakun Nanxa, 63 vjeç për veprën penale të “shkatërrimit të pronës me zjarr”, parashikuar nga  neni 151 i Kodit  Penal.

 Mrekullia për endacakun kishte ndodhur. Tashmë, për disa kohë, do të ketë një strehë, pak bukë dhe një gotë ujë, por kjo gjë do të vazhdojë ndoshta deri sa të dalë dimri, sepse më pas do t’i duhet të gjenden sërish mes rrugëve në kërkim të një mrekullie tjetër.

Share

& Comment

0 commenti:

Posta un commento

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.