Rimbursimi i teksteve, shpërndarja nis në nëntor, ja kush përfiton


Rimbursimi i teksteve shkollore për ciklin 9-vjeçar do të bëhet në fillim të muajit nëntor. Kështu është shprehur këshilltari i Ministrit të Arsimit, Jovan Kristiqi, i cili në një intervistë për gazetën “Shekulli”, sqaroi një pjesë të çështjeve që shqetësojnë prindërit. Shumica e prindërve dhe sidomos ata që jetojnë në gjendje të vështirë ekonomike, mezi presin të përfitojnë nga fondi i subvencionimit të teksteve, i cili nuk është shpërndarë ende. Duke pasur parasysh ankesat e tyre nëpër shkolla, ne iu drejtuam Ministrisë së Arsimit për një sqarim. Jovan Kristiqi u shpreh se të gjithë kategoritë që janë përcaktuar si përfituese do ta marrin rimbursimin, pasi fondi prej 200 milion lekësh, është përcaktuar me kohë. Kështu që, vonesat janë thjeshtë çështje procedurash. Prindërit duhet të presin deri në nëntor për të marrë përfitimet. Ata që kanë marrë faturën e blerjes, por që nuk janë pjesë e pikave të përcaktuara në listë nuk mund të tërheqin shumën e parave. Shumica e prindërve kërkojnë marrjen e faturës në momentin e blerjes së teksteve edhe pse e dinë që nuk janë përfitues.

Përfituesit

Ka prindër që kanë tërhequr kuponin tatimor pranë shkollave në momentin e marrjes së teksteve, por që nuk përmbushin kriteret e përfitimit. Për këtë kategori prindërish, sigurisht që nuk do të ketë subvencionim të teksteve për fëmijët e tyre dhe sqarimi vjen pikërisht nga MASH. Nga ana tjetër, Kristiqi ka bërë të ditur se cilat janë kategoritë përfituese të subvencionimit në masën 100 për qind dhe 50 për qind. Gjithashtu, ai është shprehur se për çdo problem që kanë mësuesit apo prindërit me tekstet shkollore, janë ngritur komisione të posaçme në shkolla, të cilët raportojnë ankesat pranë MASH. Megjithatë, vitin e ardhshëm pritet të ketë ndryshim të kurrikulave për nxënësit e shkollave 9-vjeçare dhe të mesme. Kjo bëhet në mënyrë që të shmangen ripërsëritjet në tekste, apo mbingarkesa që kanë nxënësit.

Aktualisht në çfarë faze është çështja e rimbursimiit të teksteve?

Si rregull rimbursimi i teksteve bëhet në këtë mënyrë, të paktën kjo është formula e këtij viti. Secili nxënës që u përket këtyre kategorive shoqërore: familja e tij jeton në asistencë ekonomike, gëzon statusin e jetimit, ka kryefamiljar me aftësi të kufizuar ose me pension pleqërie, ose ka kryefamiljar me aftësi të kufizuar por që nuk kanë të ardhura të tjera, komuniteti rom, të gjitha këto kategori plotësojnë dhe dorëzojnë dokumentacionin e nevojshëm pranë drejtorive arsimore.

Çfarë dokumentacioni duhet dorëzuar?

Ky dokumentacion përbëhet nga dokumenti që merret pranë pushtetit lokal dhe njëkohësisht fatura tatimore e blerjes së teksteve. Përsa u përket faturave tatimore, të gjithë shitësit janë të identifikuar dhe në rast se ndonjëri nuk e ka marrë faturën, drejtori i shkollës në bashkëpunim me shitësin lëshon këtë faturë tatimore. Afati i dorëzimit të këtyre dokumenteve ka qenë data 30 shtator dhe është bërë pranë shkollave përkatëse. Këtë dokumentacion, shkolla ja përcjell drejtorisë arsimore. Edhe për këtë ka afate, brenda datës 10 tetor drejtoritë arsimore përpunojnë materialin dhe e dorëzojnë pranë Ministrisë së Arsimit për të hapur fondin pranë drejtorive arsimore.

Për komunitetin rom është thënë që do të kishin një tekst të veçantë për gjuhën rome?

Nuk është bërë ndonjë gjë për këtë. Por, komuniteti rom i merr falas tekstet duke përfituar nga rimbursimi i teksteve. Por, ata kanë probleme se nuk kanë dokumente ose janë të paregjistruar fare pranë gjendjes civile.

Sa është fondi i përcaktuar për subvencionimin e teksteve?

Fondi është 200 milion lekë.

Kur mund t’i marrin prindërit paratë e subvencionimit të teksteve?

Në fillim të nëntorit do të shpërndahet dhe prindërit mund të shkojnë pranë bankave për të tërhequr paratë.

Në fillim të vitit shkollor ka pasur mangësi në sigurimin e teksteve shkollore, qoftë për arsimin 9-vjeçar dhe për atë të mesëm. Aktualisht, a janë plotësuar të gjitha shkollat me tekste?

Ka pasur disa mangësi, kryesisht për gjuhët e huaja. Aktualisht nuk ka asnjë ankesë të raportuar nga shkollat për mungesën e teksteve.

A ka pasur ankesa nga prindërit për përmbajtjen e teksteve?

Në shkolla funksionojnë komisionet e përzgjedhjes së teksteve. Këto komisione, përveçse përzgjedhin tekstet në bazë të një dokumentacioni të caktuar, ato kanë dhe një detyrë tjetër që gjatë gjithë vitit arsimor ta vrojtojnë tekstin për të parë nëse ka gabime apo jo. Ai duhet shqyrtuar fjalë për fjalë dhe sidomos duke u ndjekur gjatë orëve të mësimit. Nuk ka pasur vërejtje deri më tani. Ndërsa nga prindërit edhe mund të ketë pasur ankesa.

Cfarë ankesash kanë qenë?

Ankesat kanë qenë në lidhje me ndonjë gabim të vogël me shtypjen e tekstit etj.

A kanë mbingarkesë tekstet e shkollës 9-vjeçare?

Edhe mund të ketë në tekste të veçanta mbingarkesë. Por, mund të them që në tekstet e 9-vjeçares, nga klasa e parë deri në klasën e nëntë, ne i kemi hyrë riformimit të programit për të nxjerrë një matricë të saktë, për njohuritë që zhvillohen. Këto kanë pasur probleme për përsëritje frazash ose mbingarkesë të panevojshme. Kanë dy vjet që funksionojnë grupet e punës dhe tani do të dalë plani mësimor dhe sigurisht do të dalin edhe tekstet e reja. Domethënë është riformim e sipër e gjithë kurrikula nga klasa e parë në të nëntën. Për vitin e ri shkollor tekstet e reja do të jenë gati, domethënë për vitin e ri shkollor 2013-2014.

Kategoritë që përfitojnë rimbursim 100 për qind dhe 50 për qind

Specialisti i arsimit për rimbursimin e teksteve, Jovan Kristiqi, sqaron se jo të gjithë përfitojnë nga rimbursimi i teksteve. Kategroitë janë tërësisht të përcaktuara dhe po ashtu dhe përfituesit në masën 50 dhe 100 për qind. Masën 100 për qind e përfitojnë kategoritë më në nevojë dhe që pamundësinë ekonomike e vërtetojnë nëpërmjet dokumentacionit të dorëzuar pranë drejtorive arsimore përkatëse. Ndërsa, në masën 50 për qind përfitojnë të gjitha ato familje që kanë të ardhura të ulëta dhe cilësohen si familje që jetojnë me minimum jetik. “Rimbursimi jepet me 100 për qind të vlerës përfitojnë familjet që trajtohen me asistencë ekonomike që nuk kanë asnjë të punësuar. Ndërsa 50 për qind trajtohen të gjitha familjet që kanë të ardhura mujore nën 30 mijë lekë. Për këtë kategori nuk subvencionon shteti, por subvencionon qendra e punës. Në qoftë se është shtetëror e merr direkt në llogarinë e punës. Këta nuk paraqesin dokumente pranë shkollës, por në qendrën e punës. Dokumente pranë shkollës paraqesin vetëm ata që trajtohen me ndihmë ekonomike”, -shprehet Kristiqi.

Share

& Comment

0 commenti:

Posta un commento

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.