Ajo mbërriti në aeroportin “Nënë Tereza”, në Rinas, pak pas orës 10.30 minuta ku u prit në aeroport nga Ministri i Jashtëm Edmond Panariti dhe ambasadori i SHBA-së në Tiranë Aleksandër Arvizu.
Takimin e parë zonja Clinton e ka zhvilluar në Pallatin e Brigadave ku është takuar me presidentin e Republikës, Bujar Nishani, ndërsa ka marrë edhe dekoratën më të lartë, atë të “Urdhërit të Flamurit”.
Pas takimit me kreun e shtetit, zonja Clinton është takuar me kryeministrin Sali Berisha ndërsa më pas sekretarja amerikane e Shtetit do të mbajë një fjalim në Kuvendin e Shqipërisë në një seancë plenare.
Në seancën plenare të Kuvendit do të marrin pjesë edhe ambasadorët e akredituar në Tiranë si dhe personalite të politikës shqiptare.
Pas kësaj, zonja Clinton do të takohet me kryetarin e opozitës Edi Rama, e më pas me stafin e ambasadës amerikane, që do të jetë edhe takimi i fundit i saj.
Ndërkohë mësohet se forcat e policisë kanë shoqëruar një grup ish të përndjekurve politik të cilët ishin tubuar para Parlamentit për tu takuar me sekretaren Clinton.
Policia masa të rrepta sigurie
Policia ka marrë masa të rrepta duke filluar që nga ora 22 e mbrëmjes së të mërkurës, ku do të ndalohet parkimi në itinerarin Rinas, Qafë Kashar, rrethrrotullimi i Doganës, unaza e re, pallati me shigjeta, bulevardi “Bajram Curri”. hotel Dajti, rruga e Elbasanit, Pallati i Brigadave, bulevardi “Dëshmorët e Kombit”, bulevardi “Xhorxh Bush” dhe bulevardi Zhan Dark.
Hilary Clinton sekretarja e 4-rt amerikane që viziton Shqipërinë
Sekretarja amerikane e shtetit Hillari Klinton është e katërta drejtuese e departamentit të Shtetit që vizton Shqipërinë që pas viteve 90.
I pari që shkeli në Tiranë, në 1991 ishte sekretari i atëhershëm Xhejms Bejker. Ai pati një pritje madhështore në Shqipërinë e sapo dalë nga mbi 45 vjet izolim të plotë komunist.
Vizita e dytë do të ishte pas afër 10 vitesh, në 2000, ajo e zonjës Madelein Albright, ndërsa pak vite më vonë në 2003 do të vinte sekretari i atëhershëm Kolin Pauëll, vizitë e cila do të vinte bazat e anëtarësimit të mëpasshëm të Shqipërisë në NATO.
Ndërsa ngjarja më kulmore në marrëdhëniet mes dy vendeve është vizita në vitin 2007 e presidentit të atëhershëm George W Bush, i cili nga Tirana paralajmëroi pavarësinë së Kosovës.
Share
& Comment
Tweet