Rezarta Shkurta ndahet nga i dashuri.Si e perjetoj ndarjen

Një këngë e ndier për një dashuri pa fat. Kjo është ajo çka na propozon Rezarta Shkurta në këtë edicion të “Këngës Magjike”.  “Më fal” me kompozim të Elgit Dodës dhe tekst të Arben Dukës, bëri për vete kryesisht njerëzit melankonikë, por Rezarta beson se njerëz të ngurtë nuk ka, kështu që baladat arrijnë të prekin zemrat e gjithkujt. Por prezantimi i saj befasoi edhe për veshjen, një ide e “Geraldina Sposa”. Ja çfarë na rrëfen ajo për ndarjet në çift dhe kur thotë në jetën e saj reale “më fal”.
Një këngë prekëse me titull “Më fal”. Pse kjo fabul?
Sepse unë jam e orientuar drejt këngëve që përcjellin një mesazh, sepse besoj se nuk ka njeri që të paktën një herë në jetë të mos  ketë thënë “Më fal” dhe sepse baladat janë të preferuarat e mia. E vështirë që në një këngë ritmike të përcjellësh atë emocion që ta fal balada.
A ndikon gjendja jote shpirtërore kur vendos të sjellësh një krijim të ri apo gjithçka ua lë në dorë autorëve?
Ndikon shumë, madje ulem bashkë me kompozitorin dhe autorin e tekstit, i shpjegoj ndjesitë e mia të momentit dhe vetëm kështu unë do arrij ta dua atë këngë që do këndoj. Është e rëndësishme që atë krijim ta duam ne në fillm, më pas edhe publiku. Kështu përcillen më mirë emocionet. Ja t’ju rrëfej një histori, në këngën që realizuam në duet me Vedat Ademin. Ne kemi ndërruar shtatë tekstshkrues, sepse fjalët nuk po arrinin të përcillnim atë që ne kërkonim. Mbas orësh të tëra punë, ne arritëm të realizonim atë që dëshironim.
Duket se kënga mund të preferohet nga njerëzit e ndjeshëm, e beson se ka shumë të tillë?
Unë besoj se çdo njeri është i ndjeshëm, madje edhe ata njerëz që duken të ngurtë, thjesht janë për së jashtmi të tillë. Ashtu siç besoj, se nuk ka njeri që nuk dashuron.
Në këngë thua që “U ndamë dhe ishte faji im”, çfarë faji mund ta çojë një çift drejt ndarjes?
Le të fillojmë që nga gjërat e vogla e deri tek ato substanciale, si mospërputhja e karaktereve. Kam dëgjuar që njerëzit janë ndarë edhe për gjëra absurde, por përsëri besoj se ajo gjëja absurde ka qenë thjesht pika që ka derdhur gotën.
Ti je prej kaq vitesh e martuar, një nga frikërat e tua a është edhe rreziku i ndarjes?
Gota ime është ende bosh, falë Zotit.
Si do ta përjetoje mungesën e një njeriu të dashur?
Unë jam shumë tragjike si natyrë, prekem shumë edhe për gjërat më të vogla. Uroj që të mos e përjetoj asnjëherë, sepse  e di se do vuaja shumë.
Në këngë ti thua “Nuk e kuptoj pse u deshëm, pse u ndamë”, në fakt i jep dot një përgjigje pse një çift që duhet, më pas ndahet?
Pikërisht në këto lloj çiftesh është dhe probabiliteti më i lartë i rriskut për t’u ndarë. Sepse aty ku ka më shumë ndjenjë, ndjeshmëria edhe për gjërat më të vogla, është më e lartë.
A beson se njerëzit meritojnë një shans të dytë, jo vetëm në çift, por në çdo marrëdhënie?
Meritojnë jo vetëm të dytin, por edhe të tretin dhe të katërtin. Asnjëri prej nesh nuk është shenjtor, dhe si të tillë kemi të drejtë të falim e të falemi.


Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.