Simone i Dancing With the Stars sfidon këngëtarët shqiptarë

Ka qenë një mbrëmje mjaft e bukur ajo ku balerini i njohur dhe tashmë një nga djemtë e preferuar të vajzave të reja, Simone ka prezantuar këngën e tij. Ka qenë një befasi, sepse ai tashmë njihet si balerin dhe pakkush e ka ditur që ai është edhe një këngëtar po aq i talentuar. Kënga është punuar nga Kledi Bahiti dhe pritet të bëhet një hit për shkak të rrymës së zgjedhur. Ndërkohë Simone është kujdesur që këngën jo vetëm ta këndojë për miqtë e tij, por t’i shtojë edhe një performancë të zjarrtë me 2 balerina. Ky projekt i ri është pritur mjaft mirë. Komentet kanë qenë të shumta dhe të gjithë kanë shpërthyer në duartrokitje në mbarim të këngës mbrëmjen e së mërkurës. Shumë shpejt kënga do të transmetohet edhe në kanalet muzikore. Për “kufijtë” e tij Simone ka folur në këtë intervistë menjëherë pas lançimit të këngës, ku ka qenë mjaft i emocionuar.
Simone përse vendose të bëje një këngë?
Unë kam pasur gjithmonë qejf të këndoj, por nuk më është dhënë mundësia. Nuk kam pasur kurrë mundësi për ta bërë një gjë të tillë në Itali, kjo sepse atje, të bësh një këngë kushton shumë më tepër. Mbi të gjitha kisha frikë të eksperimentoja. Si gjithmonë, kur duhet të bëj diçka të re kam njëmijë frikëra dhe e rimendoj me mijëra herë.
Përse në Shqipëri dhe përse vendose të këndosh shqip?
Tani jam shumë i emocionuar. Së pari më është dashur të mësoj shqip. Avash-avash po eci mirë (qesh). Mendoj se Shqipëria më ka dhënë shumë. Mua më pëlqen ky vend, ndaj vendosa që të këndoj në shqip.
Si erdhi bashkëpunimi me Kledi Bahitin, i cili mesa dimë ka kompozuar këngën?
Ka qenë një bashkëpunim mjaft i mirë dhe dua t’i falenderoj të gjithë. Kledi ka punuar shumë me këngën time. Ka qenë ai që është kujdesur për çdo detaj dhe mbi të gjitha ka besuar se kjo këngë ia vlen e po ashtu edhe zëri im i përshtatej. Mund të them se në fillim ka qenë i surprizuar pasi nuk e priste që unë të dija të këndoja, po me kalimin e kohës arritëm të sillnim “pa kufi” dhe uroj t’ia kemi dalë.
E prisje këtë reagim nga njerëzit, të cilët e dëgjuan këngën për herë të parë?
Isha shumë i emocionuar kur nisa ta këndoja dhe performoja këngën time. Nuk e dija si do pritej nga publiku. M’u bë qejfi që të gjithë duartrokitën dhe e pëlqyen. Nuk di ç’të them, vetëm uroj që mos t’i zhgënjej ata që më kanë mbështetur në këtë vend.
Simone, kujt ia dedikon këtë këngë? A ka një person special që të ka motivuar?
Ka qenë dhe do të jetë gjithmonë një person shumë i rëndësishëm në jetën time, që prej më shumë se një viti mungon në jetën time. Kjo është gjyshja ime, që më shumë se gjithë të tjerët ka mbështetur punën time edhe në momentet më të vështira kur familja më këshillonte ta lija dhe të bëja diçka tjetër. Ajo gjithmonë më thoshte ec përpara në rrugën tënde, sepse ti ke diçka të veçantë nga të tjerët. Ajo e ka ditur gjithmonë këtë dëshirë timen dhe tani më në fund e realizova.
Pse “Pa kufi”?
“Pa kufij” nuk do të thotë që unë nuk kam kufij në jetë, në fakt kam shumë. Kënga flet për një udhëtim pa limit, pa destinacion, që nuk ka një rrugë dhe çdonjëri nga ne në jetë duhet të përshkojë një udhëtim të tillë. Kjo ka lidhje edhe me jetën time në Shqipëri dhe “braktisjen” e Romës, nëse do ta quaja kështu. Edhe unë jam në një udhëtim, ku nuk e di ku shkoj (qesh).
Çfarë mendon të bësh pas kësaj kënge, nëse ajo do të ketë rezultatin e dëshiruar prej teje?
Së pari dua të them se do të vazhdoj me projektet që kam nisur. Është shkolla e kërcimit, kënga dhe një projekt në “Tring”. Do të punoj edhe më shumë për të realizuar gjërat për të cilat unë ndenja në Shqipëri, sepse mbi të gjitha më pëlqen Shqipëria dhe tani kam nisur pak a shumë të ndihem si në shtëpinë time. Kam miqtë e mi dhe fansat që më mbështetin. Uroj që kënga të pritet mirë e ndoshta mund të pasohet edhe nga një tjetër, sepse tani jo vetëm që këndoj, por di të këndoj mjaft mirë shqip (qesh).
Mendon se me këtë këngë, le të themi se u ke shpallur një sfidë këngëtarëve të tjerë shqiptarë. Kanë një konkurrent më shumë?
Nuk do ta shikoja kështu. Jo kaq ashpër. Në Shqipëri ka shumë këngëtarë të talentuar që këndojnë live dhe janë mjaft popullorë. Disa prej tyre i kam njohur në “Dancing”. Janë artistë të shkëlqyer. Mendoj se bota ka vend për të gjithë dhe nëse një gjë di ta bësh mirë, atëherë do të marrësh rezultatin që pret herët a vonë. Unë mendoj se kam diçka më shumë, ose më mirë mund të sjell diçka ndryshe. Të këndoj e njëkohësisht të kem një grup balerinësh që performon. Pra, jo thjesht të këndosh në mënyrën klasike, por mbrëmje që i ngjajnë më shumë një shou.
Pamë që e ftuara jote edhe në këtë moment të rëndësishëm ishte dhe Agnesa Vuthaj. Çdo herë që ti promovon gjëra ajo duket se është e para..
(Qesh). Agnesa është një mike shumë e mirë dhe që nga koha kur kërcenin në DWS e deri tani ne kemi ruajtur raporte mjaft të mira shoqërore. E vlerësoj shumë si person dhe si një vajzë me vlera. Është një person që e kam vërtet për zemër dhe tani mund të them se jemi miq të vërtetë dhe miqtë e mbështesin njëri-tjetrin.
Artan Fuga rrëfen fëmijërinë në “Boom Boom Radio”
“All nightmares Cafè” është emisioni që drejtohet nga fotografi i njohur, Armand Sallabanda dhe Eljan Tanini në “Boom Boom Radio”. Është një emision, i cili sjell zërin e personaliteteve të fushave të ndryshme por edhe rrëfime mjaft interesante nga jeta e tyre. Këtë të mërkurë i ftuar ka qenë një nga zërat më të respektuar të botës akademike shqiptare, Prof. Artan Fuga, i cili mes të tjerave ka folur edhe për fëmijërinë e tij. “Tashmë unë nuk jam më i lirë. I lirë jam vetëm në avion. Me avion je mbi re, atje ku nuk bie shi, ndërsa poshtë në tokë bie shi. Kur isha i vogël prindërit më thoshin të bëhesha traktorist, por unë nuk pëlqeja. Nuk më pëlqente emri traktorist. Pëlqeja të bëhesha mjek, por kur u bëra 16 vjeç gjithçka ishte kristalizuar e bërë e qartë se do të studioja filozofi”, – ka rrëfyer Fuga. Mes të tjerave ai është ndalur edhe në probleme shoqërore, filozofike por edhe urbane, ku ka pohuar se Durrësi është qyteti i tij i preferuar, pasi ka ruajtur ende një identitet urban.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.