Greta Koci: Balada ime ne Kenga Magjike 2012, për një dashuri të veçantë

Greta Koçi është mjaft e angazhuar me punën e saj në Forumin Rinor të Partisë Demokratike, e megjithatë nuk lë pas dore edhe eventet e rëndësishme muzikore. Këtë herë Greta vjen në “Kënga Magjike” me një baladë tepër të ndjerë, e cila në javën e parë ka thyer çdo rekord shpërndarjesh në rrjetet sociale. “Më sheh nga lart” është pritur mjaft mirë, po ajo që ka surprizuar është fakti se Greta në bashkëpunim me motrën e saj Enin, e cila ka bërë tekstin, ia kanë kushtuar këtë këngë gjyshes së tyre. Për këngën, punën në FRPD por edhe për marrëdhënien e saj të veçantë me gjyshen, Greta flet në këtë intervistë.
Greta, kënga juaj e re është pritur mjaft mirë. Si lindi ideja për një baladë të tillë?
Ju falenderoj. Në fakt, unë përherë kam qenë mjaft e dhënë tek baladat. Kënga “Më sheh nga lart” ka qenë një ide e imja, një dedikim për të gjithë të dashurit tanë të cilët nuk jetojnë më.
I kujt është teksti “Më sheh nga lart”?
Tekstin e ka shkruar Eni, me shumë dashuri. Unë pasi e lexova më pëlqeu shumë dhe më preku po aq shumë sa vendosëm që kjo këngë të vinte për publikun me këtë tekst.
Cili është çmimi që do të dëshiroje për këtë baladë?
Çmimi më i madh për një artist është publiku…
Vini me një dedikim për gjyshen tuaj. Sa e rëndësishme ka qenë ajo për ju?
Shumë. Për fat të keq e humba përpara gjashtë muajsh. Gjyshja më ka rritur dhe përherë ka jetuar me ne. Humbja e saj ka qenë momenti më i vështirë i jetës sime.
Nuk e di nëse ke dëshirë të ndash një histori të bukur me lexuesin e gazetës sonë…
Ka shumë histori, aq sa nuk di kë të veçoj. Tashmë që ajo nuk është më, përpiqem që të buzëqesh sa herë që e kujtoj. Ajo që unë do të doja të ndaja me lexuesit tuaj është vetëm një falenderim i përzemërt për gjithë mbështetjen që më japin dhe konkretisht në këtë pjesëmarrje timen në “Kënga Magjike”. Kam marrë urime pafund dhe kam parë se kudo në rrjetet sociale kënga “Më sheh nga lart” ka pasur një impakt të jashtëzakonshëm. Jam shumë e lumtur për këtë.
Cila ishte këshilla më e shpeshtë që të thoshte sa herë dilje nga shtëpia?
“Kujdes të keqen nëna..Të ruajtë Zoti dhe mbarësi”…Kryesisht këto fjalë më thoshte sa herë bëhesha gati të hapja derën e shtëpisë për të dalë jashtë.
Po kur të shihte në skenë, çfarë të thoshte më shpesh?
“Të vdes nëna për mbesën time, yllin tim”…fjalia e përhershme. Besoj që të gjitha gjyshet i duan me shpirt mbesat dhe janë pika e dobët. Nëna gjithmonë më thoshte se fëmijët e fëmijës janë mjalti i mjaltit…
Greta, cilat janë angazhimet e tua të momentit në FRPD?
Angazhimet e mia në Forumin Rinor të Partisë Demokratike vazhdojnë me mjaft vrull dhe seriozitet. Jam e kënaqur, sepse po punoj dhe kam kontakte të përditshme me qindra e mijëra të rinj, pjesë e FRPD. Për mua, ky angazhim politik krah FRPD-së më ka dhënë një kënaqësi të jashtëzakonshme.


Stilisti nga Kosova: Lidhja me Argjentina Ramosajn, për momentin vetëm si miq
Armend Gashi është një parukier në Kosovë mjaft i njohur dhe i vizituar nga këngëtaret më të njohura të skenës. Para disa kohësh ai është përfolur për një lidhje më shumë sesa miqësore edhe me këngëtaren bukuroshe Argjentina Ramosaj. Për këtë por edhe sesi është të punosh me VIP-at e skenës shqiptare, ai rrëfen në këtë intervistë.
Sa kohë ke që punon si stilist?
Interesimi për stilizëm ka filluar që nga mosha 20-vjeçare, kur edhe fillova studimet në Akademinë e Parukerisë në Brisbanë (Australi), gjë të cilën e bëj me plot vullnet edhe sot.
Shumicën e klientëve i keni personazhe të njohur, si është të punosh me ata? A kanë kërkesa të veçanta?
Klientela ime përfshin si njerëz të zakonshëm, ashtu edhe personazhe të njohur. Është e vërtetë që një pjesë e mjaftueshme e atyre që vizitojnë sallonin tim janë personazhe të njohur, dhe mendoj që aq sa është privilegj të punosh me ta, është edhe sfidë. Natyrisht, unë iu kushtoj rëndësi dhe përkushtim të njëjtë të gjithëve, pa dallim nga fama e tyre, por është e vërtetë që personat e ashtuquajtur “VIP” kanë kërkesa më të mëdha. Mendoj që me paraqitjen e internetit dhe realitetit virtual Google si deponi e pashtershme e informatave, janë rritur edhe kërkesat duke munduar të imitojnë personazhe të ndryshme botërore. Natyrisht, unë mundohem që t’u afrohem maksimalisht kërkesave të klientëve duke iu dhënë këshilla sesi të arrihen ato pa dëmtuar kualitetin e flokëve.
Duke parë standardet në Kosovë, sa mund të përballohen çmimet për shërbime në studion tuaj?
E thashë më lart që klientët e mi janë si njerëz të zakonshëm, ashtu edhe personazhe të njohur. Sidoqoftë, klientela ime në përgjithësi përfshin njerëz me të ardhura mesatare e më lart. Mendoj që për klientelën time çmimet janë të përballueshme, pasi çmimet gjithmonë duhen shikuar krahas shërbimit që ofrohet.
Cilës nga fytyrat e njohura ke dëshirë t’ia bësh make up-in? E preferuara jote..
Unë personalisht nuk bëj make up, atë punë e bën motra ime, Ardiana Gashi, e cila ka kryer shkollë ne Australi për atë punë dhe është mjaft profesioniste. Por në qoftë se është fjala për punën me flokë, atëherë nuk kisha potencuar ndonjë emër të veçantë. Nuk dua të tingëllojë klasik në përgjigje, por për mua është qejf të punoj me çdokënd që vjen me vullnet në sallonin tim.
Si nisi dëshira për këtë profesion, çfarë ke studiuar?
Ideja ishte mjaft spontane. Isha për studime në Fakultetin e Dizajnit Grafik që e kisha me shumë qejf, po ndërkohë krejt rastësisht zbulova që kisha talente të ndryshme në këtë drejtim.
Ka ndodhur që të vijë ndonjë nga të njohurat dhe të kërkojë trajtim special në studion tuaj?
Po, ka shumë raste kur persona të njohur vijnë në sallon me kërkesa speciale. Prapë po them, nuk është lehtë të punosh me persona “VIP”, por të njëjtën kohë është mjaft interesante pasi sfidat janë më të larta dhe puna bëhet më interesante, pavarësisht se përkushtimi është i njëjtë tek të gjithë. Natyrisht që kur ata kërkojnë ndonjë trajtim special, unë i dëgjoj kërkesat e tyre, por në të njëjtën kohë u jap edhe sugjerimet e mia, pasi ka raste kur klientët mendojnë më shumë për pamjen sesa për shëndetin e flokëve, prandaj unë mundohem t’i balancoj këto të dyja duke afruar bukurinë maksimale por pa e dëmtuar flokun.
Keni nxjerrë ndonjërën nga lokali me forcë?
(Qesh) Jo. Unë mundohem të bisedoj me klientë në fillim. T’ua përshkruaj gjendjen e përafërt sesi do të duken pas trajtimit, dhe që perceptimi i tyre të jetë i përafërt me atë çfarë do të dalë në fund.
Armend, është përfolur se para ca kohësh ju keni kurorëzuar dashurinë tuaj në fejesë me Brikenën, por më pas është përfolur se jeni ndarë, mund të na tregoni të vërtetën për këtë rast?
Po është e vërtetë, unë kam kaluar një kohë relativisht të gjatë me një vajzë, mirëpo prej disa muajsh jemi ndarë. Kemi kaluar mirë sa kemi qenë bashkë, por që pas një kohe kemi pasur pikëpamje të ndryshme për gjëra të ndryshme, gjë e cila eventualisht na ka çuar në ndarje. Mendoj që ndarja është pjesë e jetës, nuk ka pasur diçka tragjike, por thjesht kemi rënë dakord që jemi tipa të ndryshëm dhe se ndarja është më e mirë për të dy.
Gjithashtu, në shënjestër është vënë edhe miqësia juaj intime me këngëtaren Argjentina Ramosaj, me të cilën ju kanë parë në një lokal të Prishtinës duke u përkëdhelur?
Unë jam mjaft i afërt me shumicën e këngëtarëve që janë pjesë e klientelës sime. Midis tjerash, edhe me Argjentinën. Atë madje e kam edhe shoqe të mirë, me të cilën kam dalë disa herë, ashtu siç dal edhe me këngëtare tjera që i kam përveç kliente, edhe shoqe. Për momentin nuk ka asgjë më shumë.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.