Kreu i selisë rozë ka reaguar menjëherë lidhur me ndarjen nga jeta të ish të përndjekurit politik, Lirak Bejko. Përmes një deklarate për mediat kryesocilaisti shprehet se është i shokuar nga vdekja jonatyrale e Lirak Bejkos, i burgosuri politik që sipas tij nuk arriti t’i mbijetojë vuajtjes së shkaktuar nga indiferenca barbare e qeverisë.
“Është tragjedia e një familjeje të varfër që nuk pa një ditë të bardhë as nën regjimin e egër të Enver Hoxhës as në kohët e zymta të Sali Berishës. Por është edhe më shumë se kaq, një tragjedi tronditëse për Shqipërinë e votave të vjedhura, premtimeve të pambajtura, zhgënjimeve të pambarimta. Është tragjedia e një kauze të drejtë përballë një qeverie të padenjë për çdo të burgosur politik të regjimit komunist, e cila u soll me Lirakun dhe grevistët e tjerë po aq çnjerëzisht sa ç’sillej edhe ai regjim kur të burgosurit kërkonin të drejta përmes grevave të urisë. Madje ende më keq në këtë rast fatkeq, sepse i burgosuri që i mbijetoi dhunës së atij regjimi nuk i mbijetoi dot arrogancës së kësaj qeverie. Lirak Bejko është shqiptari i 31-të që ndahet nga jeta për shkak të kësaj arrogance vrastare, pas 26 të vrarëve në Gërdec dhe 4 të vrarëve në protestën e 21 janarit. Që të gjithë njerëz të zakonshëm të këtij vendi që sot nuk jetojnë më pikërisht sepse të zakonshmit për këtë qeveri janë mish për top, edhe kur i vret, edhe kur i dhunon, edhe kur i vjedh, edhe kur i gënjen” shprehet Rama.
Më tej ai thekSon se “për Lirakun, edhe për të tjerët që humbën jetën tragjikisht si ai, edhe për shumë e shumë të tjerë që sot tërhiqen zvarrë në rrugët e mbijetesës, është koha të bëhemi të gjithë bashkë për një Rilindje Shqiptare. Për një demokraci të re, një shoqëri të re, një ekonomi të re dhe një Shqipëri të re në Europë”.
47-vjeçari Lirak Bejko ndërroi jetë rreth 11:30 të ditës së sotme në poliklinikën qendrore të Barit, ku dhe po merrte mjekim të speciaLizuar pas aktit të rëndë të vetëdiegies me benzinë. Lirak Bejko e ndërmori aktin e vetëflijimit më datën 10 tetor, që përkonte me ditën e 19 të grevës së urisë së ish-të përndjekurve, në shenjë proteste ndaj mos plotësimit të kërkesave të tyre, më kryesorja dëmshpërblimi për vitet e burgut.
Share
& Comment
Tweet