Nano: Duhet qeverisje vertikale, pushteti i përqëndruar në një dorë të vetme

Nano: Duhet qeverisje vertikale, pushteti i përqëndruar në një dorë të vetme


Ish-kryeministri Fatos Nano ka hedhur akuza ndaj qeverisë, e cila sipas tij ka përqendruar të gjithë pushtetin në një dorë të vetme. Ai është shprehur se një qeverisje vertikale do të kishte me shumë efikasitet, ku çdo institucion të kishte kontributin dhe vlerën e vetë.

“Ka vend për përfshirjen e zgjidhjeve, për problemet që vazhdojnë të mbajnë pas ecurinë e vendit drejt BE, që nga problemet e pronësisë, drejtësisë, tek ato të krijimit të një administrate të mbështetur mbi meritën dhe të pacenueshme nga rotacionet politike. Shqipërisë i shërbejnë më mirë skemat e kontrollit vertikal, pushtet ushtrues mbi iniciativat që përbëjnë zhvillim, apo një skemë ku autoritetet përfaqësuese të niveleve të ndryshme, qendrore e vendore, ekzekutive dhe legjislative, qeveritare dhe jo qeveritare, të maksimizojnë kontributin e tyre për një dinamikë më të lartë ekonomike për vendin”, u shpreh Nano.

Ai ka thënë se duhet të hartohet një skemë në marrëdhëniet e sipërmarrjes me përfaqësuesit që mund të çonte deri tek një nga aspektet më të diskutueshme, si pjesë e luftës kundër korrupsionit, në raport me realitetet dhe praktikat të konsoliduar të funksionit të shtetit dhe institucioneve në vendet e zhvilluara, siç është praktika e lobingut për iniciativa dhe grupe interesash që i shërbejnë një pjese të rëndësishme të perspektivave kombëtare për zhvillim.

“Sot përjetojmë të kundërtën e asaj që duhet. Përjetojmë atë që shoqëria civile, jo vetëm opozita, atë që partnerët që na monitorojnë ende në mënyrë të vazhdueshme që të frenohet përqendrimi i të gjitha pushteteve. Besoj se po të nisim një proces të tillë do të mund të fitonim të drejtën publike të diskutimit për t’i shtuar një trysni pozitive ndaj përfaqësuesve politikë për disa çështje që ende kanë mbetur pa përgjigje dhe që janë jetike për zhvillimin kombëtar”, u shpreh Nano.

Ndër të tjera ai shtoi se për të ndihmuar në ofrimin e propozimeve për zgjidhje më racionale të investimit kombëtar për zhvillim, për zgjidhje më të ekuilibruara që do e bënin më të qëndrueshëm zhvillimin ekonomik e shoqëror, për zgjidhje më të qëndrueshme politike që do e bënin politikën aq të qetë për të mbështetur dinamika, duke përdorur më mirë eksperiencën kombëtar edhe natyrisht dhe të gjithë përfaqësuesit duke i stimuluar në një mjedis që duhet të mbështetet shumë më tepër tek merita dhe tek vlerësimi i saj, nëpërmjet rezultatit që e bën cilindo sektor të zhvillimit kombëtar konkurrues dhe jo humbës në kompeticionin me të tjerët.

“Dua të nis një proces për të shqyrtuar së bashku me publikun analiza dhe konkluzione që do të vijnë nga procese profesionale, arsyetimi për politikën dhe shoqërinë për zhvillim kombëtar veçanërisht ekonomik, për marrëdhëniet mes shtetit të së drejtës dhe të drejtës së qytetarëve në raport me një situatë që asnjëherë nuk ka për t’i kënaqur të gjithë, por sot ka probleme që duam s’duam vijnë në mënyrë periodike dhe mbeten kronike në formë rekomandimesh për integrimin dhe i gjithë rrethi i fenomeneve që shoqërohen për zhvillim, sepse me një vështrim vertikal mbi zhvillimin dhe eksperiencën në demokraci, duket se nuk ka vetëm grupime të ndryshme e të egër mes tyre ka qasje e koncepte të ndryshme ndaj zhvillimit kombëtar”, vijoi fjalën e tij ish-kryeministri Nano.

Ai theksoi gjithashtu se ajo që i ka bashkuar politikanët në shërbim të vendit ka qenë filozofia e mos-humbjes së kohës për të shpikur modele, por përdorimin racional për të adoptuar modele të konsoliduara dhe efikase të demokracisë dhe institucioneve të saj, modele të afirmuara në Europë dhe vendet e zhvilluara të perëndimit dhe përshtatja, edukimi i përfaqësuesve, me legjislacionin dhe ekspertizën përkatëse. Këto deklarata, ish-kryeministri Fatos Nano i ka bërë gjatë një ceremonie në një universitet privat, ku është nderuar me titullin “Honoris Causa”, të cilin e vlerësoi si dhuratën më të bukur për 60-vjetorin e tij.

Share

& Comment

0 commenti:

Posta un commento

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.