Hapja e zyrave ndërlidhëse, Daçiç e mohon


Ndërsa  në Prishtinë flitet se gjatë takimit të dytë mes kryeministrit Kosovar Hashim Thaçi dhe atij serb Ivica Daçiç do të arrihet një marrëveshje  për hapjen e zyrave ndërlidhëse  në dy vendet, Beogradi ende nuk konfirmon një gjë të tillë.

Kryeministri i Serbisë, Ivica Daçiç thotë  se në takimin e ardhshëm  nuk do të merret ndonjë vendim i rëndësishëm  por ajo është caktuar më herët dhe paraqet vazhdim të dialogut.

“Kemi propozimin për zgjidhjen përfundimtare. Nëse rreth kësaj nuk arrijmë të merremi vesh, do të shohim çfarë mund të bëjmë për jetën më të mirë të qytetarëve”, ka thënë Daçiç.
Sipas tij  hapja e zyrave ndërlidhëse nuk është në rend të ditës, dhe nuk është pikë për të cilën do të bisedohet.

“Temë e bisedimeve është zbatimi i marrëveshjeve të arritura, çështja e trashëgimisë fetare dhe kulturore, çështja e transparencës së financimit nga ana e Serbisë, që nuk është kontestuese dhe ne këtë nuk e fshehim. Pra, ka shumë tema për të cilat mund të bisedohet. Ne jemi të gatshëm që këto çështje të mos ua lëmë gjeneratave të ardhshme , por t’i zgjidhim”, ka  theksuar kryeministri serb.

Të premten burime nga qeveria kosovare thanë  hapja e zyrave ndërlidhëse mund të ndodhë të mërkurën e ardhshme, kur Thaçi dhe Daçiç të takohen për të dytën herë në Bruksel.

Sipas burimeve, mundësia që Thaçi dhe Daçiç të bien dakord për hapjen e zyrave në të dy kryeqytetet është e madhe, duke parë gatishmërinë e liderëve të të dyjave vendeve për arritjen e marrëveshjeve të vështira.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.