Vdekja e Bejkos, PS: Berisha finalizoi punën e regjimit komunist


Partia Socialiste përmes kryetares së grupit të PS-së për të përndjekurit politik, Keti Bazhdari, u ka shprehur ngushëllime familjarëve, miqve dhe të afërmve të ish të përndjekurit Lirak Bejko, i cili u nda nga jeta një ditë më parë. Bazhdari akuzoi qeverinë dhe kryeministrin Berisha për indiferencë ndaj tij dhe privimin nga e drejta për dialog.

“Është e vështirë të gjesh fjalët për të përshkruar tronditjen që ndjen çdo shqiptar përballë kësaj tragjedie që mund të ishte shmangur shumë lehtë nëse qeveria e kryeministri do të kishte bërë gjestin më elementar për një shtet që pretendon të jetë demokratik: të ulej e të dialogonte. Le ta gënjenin po t’i thoshin një fjalë të mirë që të dilte nga greva, tha dje nëna e Lirakut. Po në vend të fjalës së mirë, prej qeverisë e Kryeministrit Liraku mori veç sharje, shpifje e baltë.Liraku nuk kishte asnjë nga cilësimet e kryeministrit, e aq më pak të ishte një njeri i paguar që kish marrë përsipër misionin për të zbritur Sali Berishën nga kali. Ishte një shqiptar i thjeshtë të cilit regjimi komunist i shkatërroi shëndetin me dhunë e tortura dhe i vodhi plot 7 vite jetë të kaluara nëpër burgje.

Një shqiptar i thjeshtë që kërkonte vetëm të dëgjohej nga partia dhe kryeministri të cilëve u kishte dhënë votën e mbështetjen.Sot qeveria e kryeministri e përfunduan punën e nisur nga regjimi komunist duke mos i dhënë Lirakut as drejtësi e as mundësinë për t’u dëgjuar. Lirak Bejko u nda nga jeta duke u bërë shqiptari i 31 që humb jetën për shkak të arrogancës dhe degradimit moral të pushtetit të Sali Berishës. Gruaja dhe fëmijët e tij i bashkohen sot listës së gjatë të grave të lëna vejusha e të fëmijëve të lënë jetim nga ky pushtet e ky kryeministër” tha ajo.

Prandaj sot është koha, theksoi Bazhdari, që të gjithë shqiptarët e thjeshtë ta kuptojnë se tragjedia e Lirak Bejkos është në fakt tragjedia dhe fati i mbarë shoqërisë shqiptare nën këtë qeveri e këtë kryeministër.
Lirak Bejko u vetëdogj ditën e 19 të grevës duke djegur në afro 50% të trupit. Ai u nis për kurim në itali por gjendja e tij u përkeqësua derisa humbi dhe jetën. Ai ishte babai i dy vajzave dhe ishte denuar gjatë regjimit komunist me 10 vjet burg për arratisje, por kreu vetëm 6 pasi në vend u vendos demokracia. Sipas ish-të përndjekurve mendohet se trupi i tij do të vijë në Shqipëri ditën e martë.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.