Statusi, PDIU: Qeveria të bëjë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës


PDIU-ja ka kërkuar sot nga qeveria që të bëjë propozime konkrete për zgjidhjen e ngërçit që mban peng legjislacionin që do të përmbyllë detyrimet për marrjen e statusit të kandidatit për në BE.

Në një deklaratë për shtyp, PDIU  thekson se do të ishte e turpshme nëse nuk do të zhvillohej tryeza politike e propozuar nga kjo parti.

“Shumë mirë që qeveria po përgatitet për festimet e 100 vjetorit, por qeveria duhet të bëjë propozime konkrete për zgjidhjen e krizës. Shumë mirë që opozita iu bashkua nismës sonë për ngritjen e flamurit në çdo ballkon, por duhen dhe veprime konkrete për zgjidhjen e krizës.Mbeten dhe pak ditë. Do të ishte e turpshme nëse nuk do të bëhej kjo tryezë, apo nëse kriza nuk do të zgjidhej në një mënyrë ose në një tjetër. Ne e përsërisim thirrjen tonë: nesër do të jetë shumë vonë dhe dikush do të përgjigjet në gjyqin e histories” thuhet në deklaratën e PDIU-së.

Gjithashtu PDIU-ja shpreh keqardhje që klasa politike e të dy krahëve nuk i dha zonjës Klinton sihariqin e madh, realizimin e një tryeze politike  ku të vendoset zgjidhja e kësaj krize.
“Ne do dëshironim që kjo tryezë të ishte lajmi pozitiv për zonjën Klinton që erdhi këtu për të theksuar mbështetjen për integrimin europian të Shqipërisë. Ne e kemi theksuar dhe njëherë tjetër rëndësinë e marrjes së këtij statusi. Ai shënon hyrjen përfundimtare të vendit tonë në kursin perëndimor të ecjes së shteteve.

Marrja e statusit do të ishte dhurata më e madhe që klasa politike shqiptare do i bënte kombit më properëndimor në Ballkan dhe më gjerë” thekson PDIU.
Gjithashtu PDIU-ja i ka shprehur mirënjohjen zonjës Klinton që e ka ngritur çështjen çame në Kongresin amerikan.

Share

& Comment

 

Copyright © 2015 Albzoom - Television Guide™ is a registered trademark.

Designed by Templateism. Hosted on Blogger Platform.